Maqedoni

KE vendos për datën e publikimit të raportit të progresit

09.11.2015 17:48

Komisarët e Komisionit Evropian sot kanë mbajtur mbledhjen e rregullt lidhur me procesin e marrjes së vendimeve për raport progresin për Maqedoninë...

Komisarët e Komisionit Evropian sot kanë mbajtur mbledhjen e rregullt lidhur me procesin e marrjes së vendimeve për raport progresin për Maqedoninë, por edhe për vendet tjera aspirante, ku në rend dite është edhe përcaktimi i datës për publikimin e raport progresit.
 
Ajo që dihet deri në këto momente është se raport progreset për vendet e Ballkanit  dhe  për Turqinë këtë vit do të përgatiten pak më ndryshe se vitet e kaluara. Në raport progres do të përshkruhet qartë përparimi në procesin eurointegrues të vendit të caktuar. Siç mësohet, në raportet e sivjetmë vendet do të rangohen sipas notave vlerësuese, prej 1 deri në 5.
 
Nota më e lartë do të thotë se vendi në tërësi i ka implementuar standardet evropiane, gjersa nota më e ulët do të shpjegojë stagnim apo ngecje të vendit në procesin integrues.
 
“Procesi për marrjen e vendimeve të raporteve është në vijimësi. Do të ndihesha komfor po t’ju kisha dhënë më tepër informacione pas takimit të rregullt të sotëm të shefave të kabineteve,  respektivisht komisarëve. Nuk dua të prejudikoj për vendimet e brendshme të këtyre trupave vendimmarrëse. Sapo të kemi informacione, do të jeni të parët që do t’i mësoni”- deklaroi zëdhënësi i KE-së, Margaritas Shinas.
 
Sipas burimeve dhënë për TVM-në, ky vlerësim bëhet për shkak të shmangies së interpretimit të gabueshëm për vlerësim ndaj vendeve aspirante dhe për shkak se Komisioni Evropian momentalisht nuk posedon metodë ligjore për marrjen e rekomandimit ndaj një shteti të caktuar.
 
Mësohet se sa i përket nivelit të përparimit në rrugën e integrimit, vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Maqedoninë, nuk kanë shënuar ndonjë përparim të dukshëm drejt eurointegrimeve. 
 
NEMRIN MULAKI-FEJZULLAHU