Maqedoni
Kuvend, Marrëveshja e Përzhinës hyn në procedurë parlamentare
09.11.2015 18:05
Marrëveshja e Përzhinës, e dakorduar midis përfaqësuesve të partive më të mëdha politike, u fut në procedurë parlamentare...

Me shumicë votash dhe pa debat, kuvendi miratoi rendin e ditës që me procedurë të shkurtër të miratojë propozim-vendimin për themelimin e Komisionit Anketues për Përgjimet, Kodin e ri Zgjedhor, ndryshimet e Kodit Penal, Ligjin për mbrojtjen e privatësisë, Ligjin për mbrojtjen e denoncuesve dhe propozim-ndryshimin e Ligjit për punën e qeverisë. Ilija Dimovski, në emër të propozuesve arsyetoi miratimin e ligjeve të cilat, sipas tij, janë rrjedhojë e një dialogu të gjatë midis forcave kryesore politike dhe interesave të mëdha shtetërore.
Goran Sugarevski nga LSDM, kërkoi që propozim-ndryshimi i Ligjit për punën e qeverisë të kalojë në pikën e parë të rendit të ditës, ndërsa kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, e rikujtoi Sugarevskin se ligjet janë dakorduar që të kalojnë në pako.
“Kërkoj që pika 6 e rendit të ditës të kalojë në pikën e parë dhe ajo është propozim-ndryshimi i Ligjit për punën e qeverisë. Këtë nuk e kërkoj për shkaqe teknike, por për shkaqe thelbësore, me qëllim që t’i mundësojmë kryeministrit të Maqedonisë që menjëherë pas asaj pike t’i propozojë ministrat dhe zëvendësministrat”- tha Goran Sugarevski nga LSDM.
“T’iu rikujtoj, në pako i dorëzuat në arkiv dhe thatë që nëse nuk nënshkruhen të gjitha nuk vlen nënshkrimi për ligjet e tjera. Për këtë arsye u morëm vesh që në pako të votohen pavarësisht cila është e para, cila e gjashta”- theksoi kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski.
Kuvendi pakon e ligjeve ua kaloi komisioneve amë, ndërsa për në orën 19 kryetari, Trajko Veljanovski, caktoi seancë plenare, ku pritet të miratohen ligjet e propozuara të cilat dalin nga marrëveshja midis partive politike.
NAIM RAMADANI
