Maqedoni
Incident në Qendrën Klinike, plagoset një kirurg
09.11.2015 18:15
Familjarë të revoltuar kanë shkaktuar incident të rëndë në Spitalin Shtetëror në Shkup...

Ngjarja ka ndodhur në katin e 3-të të Spitalit Shtetëror, në Repartin e Abdomenit, në dhomën e mjekut kujdestar.
Herët në mëngjes, familjarët kanë kërkuar sqarime nga kirurgu, por ky i fundit i ka injoruar ata dhe në këtë situatë dramatike një familjar ka nxjerrë revolen dhe ka shkrepur 3-4 plumba në këmbën e kirurgut maqedonas, Lubomir Ognjenoviç.
“Sektori i MPB-së ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar se mjeku në zyrën e tij është qëlluar me armë zjarri në këmbë dhe i njëjti është jashtë rrezikut për jetë. Të dyshuar janë tre persona nga Shkupi, 30, 34, dhe 36 vjeçar, dhe të njëjtit janë arrestuar dhe po merren në pyetje”- deklaroi zëdhënësja e MPB-së, Liza Bendevska.
Në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, sot pasdite një grup i mjekëve janë grumbulluar në shenjë revolti kundër sulmit ndaj kolegut të tyre. Sipas mjekes dhe psikiatres, Viktoria Vujoviq, ai që ngre dorë ndaj mantelit të bardhë, është sikur të ngrejë dorë ndaj gjithë botës.
“Ajo që ndodhi mëngjesin e sotëm është e palejueshme. Të gjithë ne humbim ndonjë të afër, por të qëllohet ai që ka ndihmuar nuk lejohet dhe kjo i kalon të gjitha kufijtë. Personalisht konsideroj se fajtori duhet të dënohet me dënimin më të lartë”- theksoi psikiatrja, Viktoria Vujoviq.
“Nuk është sulmuar vetëm profesioni i mjekëve, por edhe integriteti fizik i mjekëve. Kjo që ndodhi sot është pasojë e gjendjes që po zgjat me vite. Mjekët punojnë nën kërcënime dhe presione”- u shpreh dr. Çalovska.
Ndaj këtij incidenti ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila i dënon ngjarjet e sotme në Qendrën Klinike të Shkupit "Nëna Terezë", në të cilën mjeku nga kirurgjia abdominale u lëndua me armë zjarri, dhe kërkon ndriçim të plotë të rastit nga institucionet kompetente dhe sanksionim adekuat në pajtim me ligjin.
Ndërkohë, nga LSDM thonë se është e patolerueshme që në një spital klinik, që çdo ditë hyjnë me mijëra pacientë për të kërkuar shërbime shëndetësore, t’i lejohet dikujt që të shtënë me armë. Nga LSDM kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Shëndetësisë, Nikolla Todorov.
Ndërkohë, edhe deputeti i VMRO-DPMNE-së, Zoran Georgievski, ka reaguar për ngjarjen e sotme në Qendrën Klinike të Shkupit “Nëna Terezë”, duke e dënuar sulmin kundër mjekut, ndërsa kërkesën e LSDM-së për dorëheqje të Todorovit e vlerësoi si tendencë për të fituar pikë politike.
“Kjo që ndodhi është edhe rezultat i kampanjës së errët nga LSDM dhe mediat e Sorosit, dhe apelojmë që kjo ngjarje të mos politizohet”- tha ai.
BESIM ABDULLAI
