Maqedoni

Subvencionet shtetërore në bujqësi, Neziri: 37 milion euro për bujqit shqiptarë

09.11.2015 18:29

Shfrytëzues të subvencioneve gjithnjë e më shumë janë edhe bujqit dhe blegtorët shqiptarë, por edhe kompani dhe ndërmarrje private që udhëhiqen nga shqiptarët...

Kjo u tha në takimin e sekretarit shtetëror të Ministrisë së Bujqësisë, Besir Jashari, me ministrin e Ekonomisë, Bekim Neziri, dhe zëvendëskryeministrin, Fatmir Besimi, ku u bisedua për projektet e realizuara në sferën e bujqësisë, si: hidrosisteme, diga pastrimi, sanim dhe ndërtim të kanaleve për ujitje, ujësjellës, kanalizime, rrugë lokale, rrugë malore, riparim të objekteve turistike etj.
 
“Për vitet 2014, 2015, 2016 totali i subvencioneve nga Ministria e Bujqësisë është 445 milion euro. Nga kjo vlerë për vendbanimet shqiptare janë shpërndarë 105 milion euro, që do të thotë 35 milion euro për çdo vit”- deklaroi sekretari shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, Besir Jashari.
 
Ministri Neziri theksoi se 35 milion euro janë ndarë në komunat shqiptare, ndërsa gjatë vitin 2016 planifikohet rritje për 2 milion euro.
 
“Nga ky numër prej 150 milion euro, 35 milion euro janë ndarë në komunat shqiptare. Ky trend pozitiv do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2016, ku planifikojmë që të kemi rritje të subvencioneve, sidomos në komunat që udhëhiqen nga komuniteti shqiptar. Nga 150 milion euro të cilat planifikohen të ndahen për subvencione, diku rreth 37 milion euro planifikohen të ndahen për komunat shqiptare”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
 
Delegacioni i udhëhequr nga ministri Neziri vizitoi Organizatën e Bujqve të Komunës së Sarajit, ku u njoh me kërkesat e bujqve të kësaj zone. 
 
“Kërkesa e tyre është që ne si qeveri të japim përkrahje në realizimin e projektit, që kjo tokë bujqësore të shndërrohet në tokë bujqësore e cila do të punohet, mirëpo resursi i cili mungon është uji. Ne zotohemi që në të ardhmen, në bashkëpunim me kryetarin e komunës, fillimisht në fazën e parë të realizojmë një projekt ideor, për realizimin e një projekti, i cili është projekt madhor”- theksoi ministri Neziri.
 
“Në Komunën e Sarajit do të hapim zyrë të njësisë rajonale, që bujqit të mund të aplikojnë për subvencione”- u shpreh sekretari shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, Besir Jashari.
 
“Në prag të hartimit të buxhetit, në vazhdën e takimeve që kemi me target grupet e ndryshme, për vitin e ardhshëm do të parashohim edhe mjete financiare, që kanë të bëjnë me ndihmën e bujqve dhe blegtorëve, sidomos në pjesën e bujqve të cilët do të kultivojnë kultura të reja bimore”- tha kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.
 
Gjatë ditës delegacioni i udhëhequr nga ministri Neziri vizitoi Kompaninë “6 vëllezërit” në fshatin Batincë të Komunës së Studeniçanit.
 
ERSAN PAJAZITI