Maqedoni
KE publikoi raport progresin për Maqedoninë, rekomandimi i shtatë është i kushtëzuar
10.11.2015 10:58
Maqedonia e mori rekomandimin e shtatë nga Komisioni Evropian për të hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian...

Maqedonia e mori rekomandimin e shtatë nga Komisioni Evropian për të hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por ajo është i kushtëzuar nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes politike të Përzhinës.
Komisioni Evropian është i gatshëm të japë rekomandimin për fillimin e bisedimeve, por kjo do të varet në masë të madhe nga implementimi i Marrëveshjes së Përzhinës, ka deklaruar eurokomisari Hahn në pres-konferencën e sotme.
Përmbajtja e regjistrimeve që kanë ardhur në dokumentin publik flet se sistemi politik është i dëmtuar seriozisht nga ndërhyrjet politike, ka theksuar eurokomisari Hahn gjatë publikimit të raport progresit për Maqedoninë.
“Liderët politik duhet ta implementojnë marrëveshjen politike me besim të mirë, ashtu siç duhet të veprojnë edhe me urgjencë me prioritetet e reformave. Raportet ndëretnike mbetën të brishta, për të cilat duhet të implementohet Marrëveshja e Ohrit në tërësi. Është thelbësore që janë marrë masa shtesë për të ndërtuar besimin mes komuniteteve etnike. Nën dritën e progresit të deritanishëm të implementimit të Marrëveshjes politike të qershorit dhe korrikut, komisioni është i përgatitur të japë rekomandimin për hapjen e bisedimeve me IJRM-në. Kjo gjithsesi do të varet nga implementimi i mëtutjeshëm i Marrëveshjes së qershorit/korrikut dhe nga progresi substancial i implementimit të reformave. Kjo çështje do të adresohet përsëri pas zgjedhjeve”- deklaroi eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahn.
Në konkluzat e raportit është theksuar se Maqedonia ka arritur nivel relativisht të mirë në fushën e implementimit të legjislacionit evropian, por nuk ka munguar as kritika se në vend mungon shteti ligjor, drejtësia dhe liria e mediave, si dhe është theksuar edhe niveli i pranisë së korrupsionit.
Në kriteret ekonomike, vendi është vlerësuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik, në investimet dhe në tregun e lirë ekonomik.
Në kapitullin e fqinjësisë dhe marrëdhënies me rajonin, Maqedonia është vlerësuar se po zhvillon bashkëpunim rajonal, por gjithashtu si çështje me rëndësi është theksuar edhe zgjidhja e çështjes së emrit me fqinjin jugor nën patronazhin e OKB-së, për të cilën kanë ripërsëritur gjetjen e një zgjidhjeje me kompromis dhe të pranueshëm për të dyja palët.
Nëpërmjet videobimit si rëndom publikimi i raportit u ndoq edhe nga euroambasadori, Aivo Orav, i cili më pas theksoi se rekomandimi i kushtëzuar nënkupton se BE do t’i rikthehet çështjes së hapjes së bisedimeve pasi të mbahen zgjedhjet.
“Çështje kyçe për vendin është implementimi i tërësishëm i marrëveshjes politike, reformat prioritare, lufta kundër korrupsionit, depolitizimi i sistemit gjyqësor, liria e shprehjes, si dhe revizioni i Marrëveshjes së Ohrit”- theksoi euroambasadori, Aivo Orav.
Ndërsa eurokomisari Hahn në fund të konferencën deklaroi se qëllimi i BE-së është integrimi i plotë i Ballkanit në familjen evropiane dhe se secili shtet kandidat intervalin e bisedimeve duhet ta shfrytëzojë maksimalisht për plotësimin e reformave dhe kritereve që i kërkon BE-ja.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
