Maqedoni
Programi “Kosme 2014 -2020”, Neziri: Fondet e BE-së nuk shfrytëzohen sa duhet
10.11.2015 14:07
Promovohet programi i Bashkimit Evropian për konkurrencë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme “Kosme 2014-2020”...

Kjo punëtori është një mundësi e mirë për përforcimin e konkurrencës dhe qëndrueshmërisë së ndërmarrjeve, si dhe nxitjen e kulturës sipërmarrëse dhe zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të Maqedonisë.
“Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme duhet të aplikojnë sa më shumë për realizimin e këtyre fondeve të cilat na i siguron Unioni Evropian, ose më saktë të shfrytëzojnë shumën prej 2.3 miliard eurosh. Gjatë vitit 2014 -2015, nga këto mjete nga Maqedonia janë thithur vetëm 386 mijë euro, që është një shumë e vogël, andaj dëshiroj të përcjellë mesazh te të gjitha kompanitë që sa më tepër të aplikojnë, ta ndjejnë Ministrinë e Ekonomisë si partner për realizimin e projekteve dhe shpresoj që në vitin 2016 kompanitë e vogla dhe të mesme do të aplikojnë sa më tepër dhe ne t’i shfrytëzojmë ato mjete të cilat mund t’i shfrytëzojmë”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
“Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përballen me shumë vështirësi deri në marrjen e mjeteve financave. Sondazhi i fundit nga Banka Qendrore Evropiane tregoi se qasja e Bashkimit Evropian në mjetet financiare është një nga pengesat kryesore për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”- tha udhëheqësi për bashkëpunim në delegacionin e BE-së, Martin Klauke.
Programi “Kosme 2014-2020” ka një buxhet prej 2.3 miliard euro për periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2020.
REJHANE BUSHI-METAJ
