Botë
Kriza e refugjatëve, Jean Asselborn: BE rrezikon shpërbërjen, kemi disa muaj në dispozicion
10.11.2015 14:37
Bashkimi Evropian planifikon të formojë qendra migracioni për pranimin dhe përpunimin e dokumenteve dhe regjistrimin e personave që kërkojnë azil në Ballkanin Perëndimor...

BE është duke shqyrtuar të gjitha mundësitë e ndërtimit të qendrave për pranimin e emigrantëve në Ballkan për ta evituar krizën në fjalë dhe për ta lehtësuar ngarkesën e regjistrimit të mijëra emigrantëve.
Zyrtarë të lartë të BE-së thanë se këto qendra do të ngrihen në vendet joanëtare të BE-së, siç janë Maqedonia dhe Serbia.
Kjo ide e liderëve të BE-së është motivuar nga shqetësimet se me fillimin e dimrit emigrantët mund të ballafaqohen me probleme në vendet e varfra ballkanike dhe se shtetet e pasura, si Gjermania dhe Suedia, më i kanë të mbushura kapacitetet e tyre për pranim të emigrantëve.
Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian në mbledhjen në Bruksel theksuan se me ndërtimin e këtyre qendrave do të përforcohen dukshëm kufijtë e Ballkanit Perëndimor, duke mundësuar kështu të vërtetohen saktë se cilat persona mund të fitojnë apo jo azil.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, në një intervistë për Agjencinë gjermane të Lajmeve DPA tha se pesha e krizës së emigrantëve mund të jetë tepër e madhe për shpatullat e BE-së dhe se BE-ja rrezikon shpërbërjen.
Kjo, sipas tij, mund të ndodhë shumë shpejt nëse blloku nuk do të arrijë të ruaj solidaritetin dhe të zgjidhë ngërçin brenda dhe jashtë kufijve të tij.
Ndërkohë, Finlanda është shprehur sot se do të ndërpresë pranimin e refugjatëve në vend derisa në shpërndarjen e kuotave për pranim të refugjatëve nuk kyçen të gjitha vendet e BE-së.
Ministri i Punëve të Brendshme të Finlandës tha se për momentin nuk do të ketë negociata për pranim të emigrantëve të ri, derisa sistemi i shpërndarjes së kuotave nuk fillon të funksionojë në të gjithë nivel evropian.
REXHEP QAMILI
