Raporti i progresit: Shqipëria të bëjë më shumë në shtetin ligjor
Raporti i progresit i prezantuar nga komisioneri për zgjerim, Johanes Hahn, vlerëson se Shqipëria duhet të bëjë më shumë për konsolidimin e shtetit ligjor, duke çuar përpara reformën në drejtësi...

“Në Shqipëri, ne mirëpresim progresin e bërë në adresimin e prioriteteve kryesore për hapjen e negociatave dhe për të siguruar disa reforma të nevojshme për të avancuar integrimin në BE. Por, më shumë duhet bërë në shtetin ligjor, sidomos duke çuar përpara reformën në gjyqësor dhe për të mbledhur të dhëna sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”- deklaroi komisioneri për zgjerimin e BE-së, Johanes Hahn.
Në pjesën për Kosovën, KE ka vlerësuar si hapa të suksesshëm nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, si dhe marrëveshjet e arritura me Serbinë. Por, ka kritikuar veprimet e opozitës, për të cilat ka rekomanduar që të gjendet zgjidhje që të zhbllokohet puna e Kuvendit.
“Në Kosovë ka pasur një ngërç politik prej 6 muajve, i cili ka penguar miratimin e disa ligjeve, megjithatë Kosova ka bërë reformat e duhura. Kosova ka konfirmuar gjithashtu përkushtimin e saj për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke arritur marrëveshje me Beogradin për çështjet si energjia, Telekomi dhe ura e Mitrovicës, si dhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Por, shumë institucione të pavarura nuk janë operative”- tha komisioneri për zgjerimin e BE-së, Johanes Hahn.
Serbia, sipas Hahn, është më afër hapjes së negociatave me BE-në, që pritet të ndodhë gjatë këtij viti, por shtoi se Serbia duhet të vazhdojë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, por edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Mali i Zi ka arritur përparime në kornizën ligjore, por lufta kundër korrupsionit ka nevojë të forcohet ende. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
