Maqedoni
Xhaferi për përdorimin zyrtar të shqipes:Të ndërtojmë vetëdije qytetare dhe institucionale
10.11.2015 15:46
Plotësimi i amendamentit 5 të kushtetutës, që rregullon çështjen e gjuhëve, plotësimi dhe ndryshimi aktual i ligjit ose përpilimi...

Plotësimi i amendamentit 5 të kushtetutës, që rregullon çështjen e gjuhëve, plotësimi dhe ndryshimi aktual i ligjit ose përpilimi i një ligji të ri që do të rregullonte çështjen e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, janë pjesë e propozimeve të shumta që diskutohen në debatin e hapur që po realizojnë grupet e punës.
Musa Xhaferi, zëvendëskryeministr i angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, thotë se mënyra më e lehtë është të plotësohet ligji aktual, por para së gjithash do të merren në konsideratë praktikat e sekretariatit, si është implementuar dhe ku ka pasur ngecje, e më pas do të vendoset rreth hapave të mëtutjeshëm.
“Më e lehta është të plotësohen ligjet, ajo që kërkon më shumë debat dhe që është më e thellë është ndryshimi i kushtetutës, ne duhet ta themi hapur këtë. Ajo çka është më me rëndësi është se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare sipas kushtetutës, tash jemi në një fazë ku duhet të ndërtojmë vetëdije te qytetarët dhe te institucionet që ajo të mos kufizohet, të mos sabotohet, sepse nuk është në të mirën e shoqërisë tonë, e kundërta është të jemi më tolerant dhe të pranojmë realitetin dhe të respektojmë kushtetutën, ligjet dhe praktikën, deri te ajo edhe të respektojmë gjuhën dhe kulturat e njërit-tjetrit”- deklaroi zëvendëskryeministri i angazhuar për zbatimin e MO-në, Musa Xhaferi.
Sipas zëvendëskryeministrit Xhaferi, deri tani ka munguar vullneti politik, prandaj dhe përdorimi i gjuhës shqipe ka hasur në probleme, ndërsa tani duhet të argumentohet se kjo është një çështje e cila duhet të avancohet, sepse është në të mirë të të gjithëve.
Është me rëndësi që çështja e përdorimit të gjuhës shqipe është theksuar edhe në progres-raportin e këtij viti.
SANIJE KASAMI
