Botë
Opozita e Kosovës, diplomacia dështoi keq në UNESCO
10.11.2015 16:09
Opozita në Kosovë e ka kritikuar ashpër qeverinë pas dështimit për anëtarësim të Kosovës në UNESCO...

Visar Ymeri, Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj kanë thënë sot në një konferencë të përbashkët se Diplomacia e Kosovës ka dështuar keq për të siguruar votat për anëtarësimin në UNESCO, duke theksuar edhe fushatën raciste siç e quajtën ata të Serbisë për mospranim të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.
Ky është dështimi më i madh që nga formimi i diplomacisë kosovare, andaj edhe vazhdimi i dialogut nuk është i arsyeshëm, ka vlerësuar Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën.
Derisa Visar Ymeri nga Vetëvendosje tha se dialogu i pakushtëzuar me Serbinë po reflekton edhe në arenën ndërkombëtare.
“Institucionet e Republikës së Kosovës do të duhej të ishin aktivisht të koordinuara në mënyrë që ta pamundësonin këtë legjitimim të këtij qëndrimi armiqësor të Serbisë karshi Kosovës”- tha Visar Ymeri nga VV.
Kritika në adresë të qeverisë ka lëshuar edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Njëherit opozita në Kosovë ka paralajmëruar protesta gjithpopullore me kërkesën për anulimin e Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një letre publike i ka ftuar tri partitë opozitare, Vetëvendosjen, AAK-në dhe Nismës, që të mos bllokojnë më punën e kuvendit, pasi ngjarjet e fundit në Kuvendin e Kosovës kanë dërguar në botë mesazhe jo të mira për Kosovën, ka thënë ai.
Veseli ka ftuar partitë opozitare që në këtë javë ose në një datë tjetër të përcaktuar të mblidhen dhe së bashku në Kuvendin e Kosovës të debatojnë hapur dhe pa prejudikime për çështjet e ngritura nga partitë opozitare.
GYLTENE SINANI
