Maqedoni
Kuvendi miratoi pakon e ligjeve nga Përzhina
10.11.2015 16:54
Pak pas mesnate, Kuvendi miratoi pakon e ligjeve të dakorduara në takimin e liderëve e që buronin nga Marrëveshja politike e dy qershorit...

Kuvendi miratoi vendimin për themelimin e Komisionit Anketues për skandalin me përgjimet, ndërsa me procedurë të shkurtuar miratoi edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndryshimet në Kodin Penal, Ligjin për mbrojtjen e privatësisë, Ligjin për mbrojtje të denoncuesve dhe ndryshimet në Ligjin për Qeveri.
Ashtu siç pritej, debati u koncentrua në ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Deputetët ishin skeptikë.
Sipas tyre, ndryshimet janë minimale dhe nuk ofrojnë zgjidhje për shumë probleme.
“Përpos një kodi të ndryshuar apo të amenduar zgjedhor, është ndoshta kodi i emërimeve. Ne duhet të mendojmë se si do t’i zgjedhim, gjegjësisht kush do të jenë ata të cilët do na përfaqësojnë në pushtetin ekzekutiv, për sa kohë që të zgjedhurit tanë në 90% të rasteve nuk kalojnë nëpërmes një legjitimimi demokratik në zgjedhje”- deklaroi Ermira Mehmeti nga BDI.
“Do t’i mbështesim ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të vetëdijshëm se ato janë vetëm pikënisje për krijimin e kushteve për zgjedhje korrekte, të lira dhe demokratike, dhe të vetëdijshëm se Republikën e Maqedonisë e presin edhe shumë punë në rrugën për sigurimin e plotë të kushteve për zgjedhje të lira, si në vendet perëndimore dhe jo si në Bjellorusi”- tha Renata Deskoska nga LSDM.
Mirëpo Deskovskës i replikoi Dimovski nga VMRO. Sipas tij, as zgjedhjet e fundit nuk kanë qenë si në Bjellorusi.
“Të rikujtoj se Kodi Zgjedhor në zgjedhjet e fundit u pranua nga LSDM. Të rikujtoj se Lista Zgjedhore, dy muaj para zgjedhjeve të kaluara u pranua nga nënkryetari aktual i LSDM-së, Damjan Mançevski, i cili në deklaratë publike tha se Lista Zgjedhore është e pastruar”- theksoi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
“Nuk patët mirësinë që të pranoni diçka që e pranoi Nigeria, njohje biometrike e votuesve. Nuk e deshët. Nuk kërkuat regjistrim të popullsisë. Askush nuk kërkoi regjistrim sinqerisht dhe deri në fund. Vrapuat vetëm rreth datës së zgjedhjeve”- tha deputetja e pavarur, Sollza Gërçeva.
Pas miratimit të pakos së ligjeve nga Marrëveshja e Përzhinës, pritet që kryeministri Gruevski t’i propozojë Kuvendit që të zgjedhë ministrin e ri të Punëve të Brendshme, atë të Punës dhe Politikës Sociale, ministrin për Shoqëri Informatike dhe Administratë dhe disa zëvendësministra, në harmoni me dakordimin në takimin e liderëve.
SHPËTIM NUREDINI
