Ekonomi

BDI: Zhvillimi rural një nga prioritetet

10.11.2015 17:28

Zhvillimi rural mbetet një nga prioritetet e rëndësishme të BDI-së për zhvillim të barabartë ekonomik të rajoneve shqiptare...

Kjo u tha gjatë takimit që kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, i shoqëruar nga ministrat e kësaj partie realizoi me kryetarët e komunave që udhëhiqen nga partia shqiptare në pushtet.
 
Sipas ministrit të Ekonomisë,  Bekim Nezirit, BDI ka ndikuar që të rritet sasia e TVSh-së që ndahet për komunat nga 4,5 % në 6,5 %, si dhe rritjen e mjeteve financiare për zhvillim rajonal të barabartë për 100% për vitin 2016, gjë që do të ndikojë fuqishëm në zhvillimin e komunave shqiptare.
 
Neziri gjithashtu hodhi poshtë pretendimet se po ndërtohen rrugë vetëm në pjesën lindore të vendit. 
 
“Rruga që është Kërçovë-Ohër është një rrugë e cila është më e shtrenjta që do t’i kushtojë Republikës së Maqedonisë, ku vetëm atje ka diku rreth 400 milion euro para që duhet të investohen. Rruga Strugë-Trebenisht, që është rrugë që lidhë vendet shqiptare, po ashtu rruga Shkup-Bllacë, që kushton diku rreth 100 milion euro, për të cilën brenda tre javëve do të ketë ankand, ku do zgjidhet skenari nga ana e qeverisë se cili skenar do bëhet dhe do shpallet ankand për partneritet publiko-privat, dhe nëse marrim këtë, shuma prej 600 milion eurosh, do të thotë që edhe në vendet shqiptare ndërtohen dhe planifikohen rrugë me shuma shumë të mëdha”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
 
Ndërkohë, sekretari shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, Besir Jashari, informoi për mjetet që janë realizuar në kuadër të programit për zhvillim rural. 
 
“Ne pikërisht sot bëjmë promovimin e këtyre mjeteve për vitin 2014, që janë 3.5 milion euro të realizuara, dhe për vitin 2015, që janë 7.2 milion euro. Bisedohet për plane urbanistike, për ndërtim të rrugëve lokale, për ndërtim të rrugëve që lidhin fshatin me qytetet. Do të thotë të gjitha komunat që menaxhohen nga shqiptarët, duke filluar prej Likovës deri në Strugë, janë shfrytëzues të këtyre mjeteve”- theksoi sekretari shtetëror, Besir Jashari. 
 
Gjithashtu me këtë rast u potencua se do të bëhet kompensimi i të gjitha dëmeve që janë bërë gjatë përmbytjeve në Tetovë dhe në zonën e saj. 
 
ERSAN PAJAZITI