Maqedoni

Raport progresi, partitë me qëndrime të ndryshme rreth raportit

10.11.2015 17:34

Menjëherë pas publikimit të raportit të progresit nga Komisioni Evropian, ka reaguar spektri politik në vend...

Sipas BDI-së, raporti është një dokument objektiv i cili do të shërbejë në zbatimin e reformave në procesin e integrimit evropian.
 
“Marrëdhëniet ndërfqinjësore duhet të promovohen në vazhdimësi, duke përfshirë edhe zgjidhjen e çështjeve të hapura bilaterale. Gjithashtu, vëmendje e veçantë në të ardhmen do t’i kushtohet përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike, duke përfshirë edhe analizën e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit”- thuhet në kumtesën e BDI-së. 
 
Ndërkohë, VMRO-DPMNE vlerëson se Maqedonia vazhdon të ecë përpara krahas përpjekjeve të LSDM-së që ta fusë vendin në krizë politike. 
 
“Me faktin që në raport ka rekomandim përbën dëshminë më të fuqishme se kapaciteti i Republikës së Maqedonisë është shumë më i fuqishëm se politikat destruktive të LSDM-së gjatë 9 muajve të kaluar. Qëllimi i LSDM-së të krijojë krizë politike, e cila do të reflektohej me humbjen e rekomandimit, nuk është përmbushur”- tha Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.
 
Nga ana tjetër, Lidhja Socialdemokrate vlerëson se me një punë të përbashkët me qytetarët kanë arritur të mbajnë vendin në proceset euroatlantike.
 
“Jemi të gëzuar që me shumë mund dhe një përkushtim të sinqertë ndaj interesave të qytetarëve arritëm që ta shpëtojmë rekomandimin e KE-së për vendin tonë. Për fat të keq rekomandimi është i kushtëzuar dhe kjo është vepër e pushtetit joserioz. Brukseli sot rekomandoi se do një Maqedoni me vlera demokratike, VMRO-DPMNE nuk e do një Maqedoni të tillë”- theksoi Radmilla Sheqerinska nga LSDM.
 
Ruajtja e rekomandimit përbën një motiv të fortë për të vazhduar me përkushtimin e vendit, thotë edhe ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski.
 
“Mendoj se për ne do të jetë e rëndësishme që në këtë periudhë, që deri në prill, deri në zgjedhje të dëshmojmë se kemi përkushtim të tërësishëm në shtet dhe mobilizim të plotë të institucioneve për të ruajtur këtë rekomandim”- u shpreh ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski.
 
Zbatimi i plotë i dialogut politik do të jetë një nga kushtet të cilat Komisioni nga afër do ta monitorojë dhe nga i cili do të varen edhe vlerësimet e ardhshme, nënvizoi Popovski. 
 
NAIM RAMADANI