Maqedoni
Etika e mediave në zgjedhje: media të balancuara për zgjedhje të drejta
10.11.2015 17:53
Mediat e vendit duhet të zhvishen nga misioni politik dhe të kryejnë punë të pavarura dhe të balancuara në prag të zgjedhjeve...

Apeli i tillë doli nga debati me temë “Etika e mediave gjatë periudhës së zgjedhjeve”, që u organizua nga Instituti Maqedonas i Mediave dhe UNESCO.
Ambasadori i BE-së, Aivo Orav, tha se mediat kanë një rol të veçantë për zgjedhje demokratike, por atyre duhet t’u sigurohet edhe tereni.
“Mediat kanë një rol të rëndësishëm, në njërën anë duke dhënë kontribut në zgjidhjen e krizës politike dhe në anën tjetër duke kontribuar për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Kjo përfshin informim të drejtë dhe të balancuar, duke i vënë në rrafshin e njëjtë të gjithë aktorët politik. Gjithashtu rol të rëndësishëm ka shteti i cili duhet t’u sigurojë që gazetarët do të punojnë në një mjedis të sigurt”- deklaroi ambasadori i BE-së, Aivo Orav.
Analizat tregojnë se indeksi i besueshmërisë dhe lirisë së mediave ka shënuar rënie. Për dhjetë vite Maqedonia ka zbritur për 100 vende.
Anëtari i Komisionit për Ankesa, Sefer Tahiri, thotë se fenomenet e këtilla retrograde janë të dirigjuara nga politika dhe ndihmuar nga gazetarë të prirur nga përfitimet personale.
“Kemi përgjegjësi edhe ne gazetarët që merremi profesionalisht me këtë punë, sepse lejuam që disa të ashtuquajtur gazetarë të hyjnë në këtë profesion dhe të bëjnë keqpërdorime me paratë e buxhetit dhe të shpërlajnë trurin e qytetarëve”- tha anëtari i Komisionit për Ankesa, Sefer Tahiri.
Kryetari i Komisionit për Ankesa, Mirçe Adamçevski, propozon që para zgjedhjeve të 24 prillit mediat të nënshkruajnë dokument për profesionalizëm gjatë informimit. Veç kësaj, ai propozon të përpilohet edhe kodeks i ri gazetaresk.
“Ne na duhet kodeks i ri dhe atë kodeks i mediave, mediave elektronike, të shkruara dhe online. Nëse kjo nuk bëhet, do të fillohet të flitet për rregullim të ri të mediave, që do të nënkuptonte përzierje e shtetit në media, në lirinë e tyre nëpërmjet ligjeve”- theksoi kryetari i Komisionit për Ankesa, Mirçe Adamçevski.
Edhe në raportin e fundit të KE-së janë dhënë vërejtje se Maqedonia duhet më shumë të punojë në lirinë e mediave.
MERAL ISMAILI
