Maqedoni

Neziri dhe Jashari në Tetovë, vizitë në kompanitë “Izo zulçe” dhe “Rojal”

10.11.2015 18:13

Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, dhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, Besir Jashari...

Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, dhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, Besir Jashari, kanë vizituar dy kompanitë nga Tetova, Fermën e lopëve “Izo Zulçe” dhe Fabrikën industriale “Rojal”, e cila merret me përpunimin e pemëve dhe perimeve të ngrira.
 
Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, u shpreh se ky është një shembull pozitiv për zhvillimin ekonomik të vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës, prandaj edhe nuk do të mungojë mbështetja e qeverisë.                  
 
“Është një shembull pozitiv për zhvillimin ekonomik në vend, duke u nisur nga hapja e vendeve të reja të punës, duke u nisur në hapjen e mundësive që bujqit në territorin e R. së Maqedonisë, qoftë edhe në rajonin e Pollogut, fillimisht inicimin e produkteve bujqësore grumbullohen ose mblidhen nga ana e kësaj kompanie dhe vazhdojnë në punimin e mëtutjeshëm”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
 
“Ne jemi një kompani që jemi të licencuar për grumbullimin e artikujve ushqimorë dhe kemi kapacitet prodhues për përpunimin e tyre dhe destinimin e tyre në shtetet e Evropës Perëndimore. Këtu tek ne nuk ka treg për ushqim të ngrirë, për shkak se Maqedonia ka ushqim të freskët dhe nuk ka nevojë të ushqehen me ushqim të ngrirë edhe pse ky lloj ushqimi i ruan të gjitha vitaminat, cilësitë ushqyese, meqë ato janë në sistemin jo të konservimit, por të ngrirjes”- tha pronari i Fabrikës “Rojal”, Abedin Murati.                                                                               
Sekretari shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, Besir Jashari, tha se në programet e kësaj Ministrie ka subvencione që i shfrytëzojnë kompanitë që merren me prodhime bujqësore, ndërsa në programin IPA ka mjete të cilat ndahen për kompani për paketimin dhe ngrirjen e produkteve bujqësore.
 
Ndërsa politikë e kësaj Ministrie është edhe rritja e kapacitetit të fermave që merren me ruajtjen e bagëtive.
 
“Tani vetëm një kompani, fermë lope, ka mbi 50 lopë, që do të thotë kjo është edhe politika dhe synimi i Ministrisë së Bujqësisë për të rritur kapacitetet e fermerëve për këta që janë fermerë, që merren pikërisht me këtë profesion, në këtë drejtim, që marrin subvencion 2800 den. për kokë lope, për dhënie të qumështit në qumështore të regjistruara nga 3 e gjysmë denarë për litër në qumështore”- theksoi sekretari i Ministrisë së Bujqësisë, Besir Jashari.
 
“Në subvencione për vitin 2014 kemi marrë edhe para, kemi marrë, në 2015 ende jo, po presim ndoshta do vinë, më shumë tani kemi nevojë për zahire, unë tani e kam marrë në Shën Nikollë…Sivjet jonxhe nuk kemi pasur prej të thatit, vërshimet na mbytën, dy kositje u humbën nga vërshimet dhe ne u drejtuam për në Shën Nikollë të marrim, duke pasur tokën tonë”- u shpreh pronari i Fermës “Izo Zullçe”, Llukman Seferi.
 
Përfaqësuesit e dy ministrive theksuan se do të jenë në përkrahje jo vetëm të kompanive ekzistuese, por do të përkrahin edhe hapjen e kompanive të reja, me qëllim që të ulet papunësia në vend.
 
VISAR SADIKI