Plani rus për paqe në Siri, parashikohen reforma kushtetuese në 18 muaj
Rusia dëshiron që Qeveria siriane dhe opozita të bien dakord për nisjen e një procesi reformues kushtetues 18 mujorësh, të ndjekur më pas nga zgjedhjet e parakohshme presidenciale...

Ky është konkluzioni i një projekt-dokumenti të siguruar nga Agjencia e Lajmeve “Reuters”.
Propozimi me 8 pika, i hartuar nga Moska përpara bisedimeve ndërkombëtare mbi Sirinë të kësaj jave, nuk e përjashton pjesëmarrjen e presidentit, Bashar al-Assad, në zgjedhjet e reja të parakohshme, diçka që kundërshtarët e tij thonë se është e pamundshme nëse vërtetë do të duhet të rikthehet paqja.
“Presidenti i zgjedhur nga populli në Siri do të ketë funksionet e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, kontrollin e shërbimeve sekrete dhe politikës së jashtme”- shkruhet në dokument.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Mikhail Bogdanov, tha se Moska pritet të vijë me “ide të ndryshme dhe propozime”, edhe pse këmbënguli të shtonte se këto nuk përbëjnë një plan solid.
Dokumenti bën të ditur se palët në Siri duhet të bien dakord për të tilla hapa në konferencën e ardhshme që do të organizohet nga Kombet e Bashkuara dhe shton se procesi reformues nuk duhet të kryesohet nga Assadi, por nga një kandidat i rënë dakord nga të gjitha palët.
Rusia dhe Irani kanë qenë aleatët më të palëkundur të Assadit përgjatë luftës civile afro 5 vjeçare në Siri, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara, aleatët e tyre të gjirit Persik dhe Turqia kanë qenë kategorikë në kërkesën e tyre për largimin e tij nga pushteti, nëse do të duhet të vendoset paqja.
Moska ka përshkallëzuar përpjekjet e saj diplomatike për të zgjidhur konfliktin që ka lënë të vdekur qindra-mijëra persona dhe ka detyruar të largohen nga vendi miliona të tjerë.
Në raundin e parë të bisedimeve në Vjenë, gjatë muajit të kaluar, Moska deklaroi se dëshironte që grupet e opozitës të merrnin pjesë në diskutimet e së ardhmes dhe të shkëmbenin një listë emrash me Arabinë Saudite. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
