Haraçinë, hapet Zyra e parë Rajonale për Bujqësi
Hapet Zyra Rajonale për Bujqësi në Komunën e Haraçinës, në të cilën bujqit dhe blegtorët e kësaj komune do të kenë mundësi që të aplikojnë për subvencione dhe për shërbime tjera lidhur me bujqësinë...

Ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani, tha se kjo ishte një kërkesë e kamotshme e banorëve të Haraçinës.
“Po realizojmë një kërkesë të kamotshme të banorëve të Haraçinës. Prej sot zyra është e hapur, qeveria ka sjellë një vendim me të cilin bën hapjen e kësaj zyre. Jemi marrë vesh që komuna të sigurojë objektin, sapo na informoi kryetari i komunës për objektin që do të vendoset kjo zyrë, ndërsa punësimin do ta bëjë Ministria e Bujqësisë”- deklaroi ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani.
Sipas kryetarit të Komunës së Haraçinës, kjo zyrë do t’u shërbejë bujqve dhe blegtorëve të Haraçinës për qasje më të lehtë për aplikimin e subvencioneve dhe shërbimeve tjera lidhur me këtë resor.
“Për interes të banorëve, shërbimet që t’i kenë më afër, ne e bëmë të mundshme që të gjejmë edhe një lokal, domethënë zyrën. Kjo do të jetë në shërbim të blegtorëve, bujqve, që deri më tani këto kanë udhëtuar në Komunën e Gazibabës dhe me këtë zyrë dokumentacionet, aplikimet, marrja e dokumenteve në lidhje me bujqësi dhe blegtori do t’i kenë në komunë”- tha kryetari i Komunës së Haraçinës, Brahim Ajvazi.
Kryetari i Haraçinës gjithashtu theksoi se kjo është zyra e parë që hapet në këtë komunë, ndërsa theksoi se Haraçina ka nevojë edhe për hapjen e zyrës për punë dhe politikë sociale. (Ersan Pajaziti, TVM2)
