Mijëra refugjatë në dyert e Ballkanit, Sllovenia i bën gati pengesat në kufi
Mijëra refugjatë gjenden tashme dy ditë në kufirin midis Greqisë dhe Maqedonisë...

Më shumë se 18 mijë persona kanë kaluar kufirin në 48 orët e fundit drejt vendeve të Evropës Qendrore dhe Veriore.
Nga ana e Maqedonisë, kalimi i emigrantëve lejohet në intervale të rregullta njëorëshe në grupe me nga 50 njerëz dhe kjo ka sjellë radhë të gjata në kufirin pranë Gjevgjelisë, ku me mijëra refugjatë presin me padurim të kalojnë në anën tjetër. Ata ankohen se askush në Ballkan nuk i do.
“Nëse më ndihmon fati dua të shkoj në Suedi, nuk do të shkoj as në Gjermani, as në Hungari”- u shpreh një refugjate.
“Grekët thonë se ne jemi të mirëseardhur këtu, por ata nuk veprojnë kështu”- theksoi një refugjat.
Ngutja për të kaluar sa më shpejt vihet re edhe në kufirin me Serbinë, pasi Sllovenia, shteti tjetër nga i cili refugjatët duhet të kalojnë për të mbërritur në Austri dhe Gjermani, ka deklaruar orëve të fundit se do të vendosë pengesa të përkohshme teknike përgjatë kufirit të saj me Kroacinë në ditët e ardhshme për të kontrolluar fluksin e madh.
“Në takimin e fundit me ministrin e Brendshëm na është thënë se rrethojat do të ndërtohen në pesë komuna të tjera dhe se të njëjtat do të vendosen nga ushtria. Na është thënë në mënyrë eksplicite se rrethojat nuk do të jenë të përhershme dhe se nuk do të kenë kuptimin se janë kufij, por ata do të jenë vetëm për t’i udhëzuar dhe informuar refugjatët që hyjnë në Slloveni për kushtet që i kemi”- deklaroi kryetari i Komunës së Zavërçit, Miran Vuk.
Nga Qendra për Menaxhimin me Kriza në Maqedoni vlerësojnë se vendimet për ngritjen e gardheve janë politika individuale të shteteve dhe të njëjtat nuk korrespondojnë me politikat evropiane. Si pasojë e pengesave të vendosura nga vendet e tjera, Maqedonia do të përballet me një numër të madh refugjatësh për të cilët nuk ka kapacitet, thonë nga kjo qendër.
Në Qendrat për Pranimin e Refugjatëve në Gjevgjeli dhe Kumanovë për momentin vijon adaptimi i kampeve për kushtet dimërore.
Sipas të dhënave të fundit të Frontex, vetëm në 10 muajt e parë të këtij viti më shumë se 540 mijë refugjatë kanë hyrë në BE nga Turqia, nëpërmjet ishujve grekë, 13 herë më shumë se një vit më parë. Rreth një e treta e tyre ka hyrë vetëm në muajin tetor me gjithë përkeqësimin e kushteve atmosferike. (Rexhep Qamili, TVM2)
