Maqedoni

Fatmir Besimi: Rekomandimi i kushtëzuar, motivacion për vendin

11.11.2015 16:07

Raport progresi i Komisionit Evropian për Maqedoninë për vitin 2015 ka kaluar filtrin e parë të analizës në Sekretariatin për Çështje Evropiane...

Zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi, në brifingun me redaktorët e mediave në vend ka theksuar se rekomandimi i kushtëzuar është pritur, duke pasur parasysh krizën politike në vend gjatë 9 muajve të kaluar.
 
Raport progresi do të jetë udhërrëfyes për obligimet dhe detyrat që duhet t’i kryej Maqedonia deri në publikimin e raportit të radhës, i cili është parashikuar të jepet pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 2016-ës.
 
“Implementimi i marrëveshjes politike, reformat urgjente, raporti për implementimin e MO-së, marrëdhëniet ndëretnike, ndërfqinjësia e mirë dhe zgjidhja e çështjes së emrit dhe kontesteve të hapura me fqinjët do të jetë pasqyra e cila do të tregojë rrugën e vitit të ardhshëm të Maqedonisë drejt integrimit evropian”- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje eurointegruese, Fatmir Besimi.
 
Analiza e raport progresit do të dalë në diskutim publik dhe më pas do të përgatitet strategjia kombëtare për realizimin e të gjitha obligimeve dhe mënjanimin e pengesave që janë të adresuara në raport.
 
Sipas zëvendëskryeministrit Besimi, duke pasur parasysh metodologjinë e re të Komisionit Evropian për vlerësimin e të arriturave të vendeve kandidate, Maqedonia në grupin e vendeve të Ballkanit Perëndimor është radhitur në mes. 
 
Rekomandimi i kushtëzuar për Maqedoninë do të jetë një motivacion plotësues për të arritur deri tek qëllimi përfundimtar për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
 
GAZMEND REXHEPI