Analistët për raportin e progresit: Vetëm me kushtëzime vetëdijesohet politika
Rekomandimin e kushtëzuar dhënë për Maqedoninë nga Komisioni Evropian analistët politik e vlerësojnë si recetë të precizuar për përmbushjen e afateve konkrete, me qëllim që të ruajnë rrugën e mëtutjeshme të vendit në bisedimet për integrim në BE...

Po të mos aplikohej ky lloj rekomandimi, vendi do të hynte në skenarë më të keq politik.
“Maqedonia për herë të parë vihet para një kushti të afatizuar për përmbushjen e obligimeve konkrete dhe zaten mendoj se po të mos bëhej një kushtëzim i tillë, klasa politike vështirë se do t’ ia dilte të përmbushë obligimet e dala nga Marrëveshja e Përzhinës, përkundrazi, do të zvarritej dhe devalvohej implementimi i tërësishëm i saj dhe në këtë mënyrë Maqedonia do të hynte në një krizë më të thellë”- deklaroi analisti politik, Naser Zyberi.
“Për ta ruajtur rrugën e BE-së Komisioni Evropian na dha rekomandim, por një rekomandim pa rekomandim do të thosha. Ai është një rekomandim i kushtëzuar nga Marrëveshja e Përzhinës dhe nëse këto kushte nuk do të implementohen deri në zgjedhje, në raportin e ardhshëm na pret një raport tepër kritikues”- tha profesori universitar, Nano Ruzhin.
Një ndër kritikat më të rrepta në raport progres zuri edhe sfera e funksionimit të gjyqësorit dhe një gjyqësor i pavarur do të thotë dalje me automatizëm nga kriza, vlerësojnë analistët politik.
“Raport progresi ka më tepër vërejtje, ndërsa spikasin vërejtjet konkrete në gjyqësor, të cilat vërejtje shkojnë në krijimin e një klime politike, e cila do të garantojë se paraqitjet që do t’i bëjë prokurorja speciale do të ketë një finalizim të suksesshëm në gjyqësor, sepse e gjithë marrëveshja mund të vihet në pikëpyetje në qoftë se aktet që do t’i merr prokurorja speciale dështojnë para gjyqeve, do të thotë që mund të mos finalizohen”- theksoi analisti politik, Naser Zyberi.
“Edhe njëherë u raportua se kjo qeveri nuk mund të sigurojë gjyqësor të pavarur dhe për këtë u zgjodh prokurorja speciale për çështjet që dalin nga evidenca e shkeljes së ligjit. Maqedonia me këtë rekomandim është para një kthese, sepse pa depolitizim të gjyqësorit vendi asnjëherë nuk do të mund të shkojë përpara, sepse është e obliguar të efektizojë ato që kërkohen nga KE në pjesën e sistemit të së drejtës”- u shpreh profesori universitar, Nano Ruzhin.
Në raport progres, në kapitullin e gjyqësorit KE me urgjencë kërkon depolitizimin e gjykatave, mbështetje qeveritare në punën e prokurores speciale, si dhe miratimin e një strategjie për reformat gjyqësore. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
