Futboll
Argjentinë-Brazili, dueli i milionave
11.11.2015 16:24
Futbolli për ta nuk është thjeshtë një lojë, pasi Argjentina dhe Brazili janë dy prej industrive më të mëdha të futbollit në Botë...

Futbolli për ta nuk është thjeshtë një lojë, pasi Argjentina dhe Brazili janë dy prej industrive më të mëdha të futbollit në Botë dhe këtë gjë e vërteton mësëmiri vlera që kanë lojtarët e këtyre dy kombëtareve në treg.
Kur ndodhemi përpara një tjetri dueli titanësh mes tyre u hedhim një sy vlerës që kanë futbollistët e grumbulluar nga trajnerët respektivë për ndeshjen e kësaj të Enjteje në merkato.
380 milionë është vlera në treg e 24 futbollistëve që ka në dispozicion trajneri i La Selecion, Tata Martino në këtë sfidë pa përfshirë këtu Carlos Tevez-in, i cili u largua me parametër zero nga Juventusi te Boca gjatë kësaj vere.
Duelin e përfaqësues më të shtrenjtë në merkato mes dy gjigandëve amerikano-jugorë e fiton Brazili, pasi vlera e futbollistëve që ka grumbulluar Dunga kap shifrën e 428 milionë Eurove.
Megjithatë kjo ka ndodhur për vetë faktin se Argjentina nuk ka të gatshëm për këtë ndeshje dy yjet e saj Lionel Messin dhe Sergion Agueron.
Lojtari i Barcelonës vlen 120 milionë Euro në treg, ndërsa sulmuesi i Manchester City-it, 60 milionë Euro.
Për momentin lojtari me vlerën më të lartë në merkato nga ata që kanë në dispozicion të dy trajnerët është Neymar, kartoni i të cilit kap shifrën e 80 milionë Eurove.
Të gjithë sytë e Brazilit të Enjten në mbrëmje janë pikërisht tek ai, Neymar Jr. Ylli i Barcelonës, i cili është sërish në dispozicion të Selecaos pas 4 ndeshjeve skualifikim.
Te Argjentina dy lojtarët më të shtrenjtë dhe që do të mundohen të marrin për dore përfaqësuesen Albiceleste në këtë ndeshje janë Angel Di Maria dhe Gonzalo Higuain.
I pari vlerësohet 50 milionë Euro ndërsa sulmuesi i Napolit 47 milionë Euro.
