Futboll

Ja si vijnë legjonarët për miqësoret ndaj Kosovës dhe Gjeorgjisë

11.11.2015 16:36

Me kualifikimin historik në Euro 2016, për Shqipërinë tashmë ka ardhur momenti për të nisur përgatitjet për eventin që do të zhvillohet në Francë...

2 miqësoret e radhës, vëllazërorja ndaj Kosovës dhe takimi i Qemal Stafës kundër Gjeorgjisë do ti shërbejnë trajnerit Gianni De Biasi për të kristilalizuar akoma edhe më shumë grupin e futbollistëve si dhe për të hedhur bazat që skuadra të bëjë një paraqitje sa më të mirë në europianin francez.
 
Në këto dy miqësore trajneri pritet tu japë minuta në këmbë të gjithë lojtarëve përfshirë këtu edhe dy afrimeve të fundit sulmuesit të Interit Rey Manaj dhe mbrojtësit të Luganos Frederik Veseli.
 
Por si vinë futbollistët e kombëtares kuqezi në këto dy sfida? Lojtari më në formë për momentin në skuadrën e De Biasit është padiskutim Elseid Hysaj.
 
Mbrojtësi është aktivizuar rregullisht me Napolin gjatë kësaj periudhe dhe në shumë raste ka qenë një nga më të mirët në fushë për të kaltrit madje sëfundmi u përzgjodh edhe në formacionin më të mirë të javës në Serinë A. Edhe portieri Etrit Berisha po kalon një moment pozitiv me Lazion.
 
Gardiani shqiptar aktivizohet nga Pioli vetëm në ndeshjet e Europa League, por me 2 paraqitjet e fundit në dy ndeshjet ndaj Rosenborgut si dhe formën jo të mirë të Marcettit, Berisha mund të fitojë vendin e titullarit edhe në Serinë A. Me kalimin te Nantes Lorik Cana është kthyer në liderin e padiskutueshëm të prapavijës së skuadrës franceze dhe duhet theksuar se edhe kapiteni vjen në një gjëndje shumë të mirë për këto dy sfida.
 
Berat Gjimshiti ndërkohë edhe pse shkëlqeu me Shqipërinë në 4 ndeshjet e tij të para nuk ka patur shumë minuta te Zyrihu gjatë muajit të fundit.
 
Një kandidat tjetër potencial për qëndërn e mbrojtjes Arlind Ajeti vazhdon të mbetet pa skuadër dhe pret momentin e ndeshjeve të kombëtares për të shfaqur të gjitha cilësitë e tij.
 
As që mund të diskutohet pozicioni Ansi Agollit te Qarabagu. Mbrojtësi 33-vjecar luan gjithmonë me skuadrën azere si në kampionat ashtu ashtu edhe në Europa League. Edhe Frederik Veseli është një titullar stabël te Lugano e Zdenek Zeman ashtu si Amir Rrahmani te Rnk Spilti. Më të pakta kanë qenë minutat në këmbë për Naser Alijin dhe Andi Lilën gjatë muajit të fundit.
 
Përsa i përket mesfushës Taulant Xhaka është një nga lojtarët që ka luajtur më shumë gjatë kësaj periudhe ndërkohë që Memushaj dhe Basha pavarsisht ndonjë mungese për arsye dëmtimi kanë patur minutat e tyre te Pescara dhe Lucerna. Nuk diskutohet prania e Amir Abrashit në formacionin e Freiburgut me mesfushorin që në javën e fundit realizoi një supergol.
 
Edhe Herolind Shala luan rregullisht me Slovanin e Liberecit në Ceki, ndërsa i ka nisur nga stoli disa nga ndeshjet e fundit Odise Roshi te Rijeka në Kroaci.
 
Një moment delikat po kalon Ermir Lenjani i cili nuk është përfshirë as në 18 she në dy ndeshjet e fundit nga trajneri i Nantes Der Zakarian.
 
Nga sulmuesit që ka në dispozicion trajneri Gianni De Biasi për këto dy sfida, më shumë minuta me klubet e tyre gjatë muajit të fundit kanë patur Bekim Balaj dhe Armando Sadiku por edhe këta të dy nuk kanë luajtur gjithmonë titullarë me Rijekën dhe Zyrihun.
 
Kanë qëndruar në hije gjatë kësaj kohe Shkëlzen Gashi dhe Sokol Cikalleshi.
 
I pari nuk preferohet më nga trajneri i Baselit Urs Fischer dhe mund të largohet nga kampionët e Zvicrës në merkaton e Janarit.
 
Sa i përket Cikalleshit bomberi kuqezi e ka humbur vendin e titullarit në formacionin e Istanbul Basaksehir në kampionatin turk.
 
Shumë pak minuta numëron edhe Rey Manaj me Interin gjatë këtij sezoni edhe pse në stërvitje talenti shqiptar i ka mahnitur të gjithë me trajnerin Mancini që përfshin gjithmonë në minisfidat brenda grupit.
 
Por për të gjithë ata lojtarë të kombëtares kuqezi që kanë qëndruar në hije me klubet e tyre gjatë kësaj periudhe sezoni është ende shumë gjatë dhe emra të tillë si Lenjani, Cikalleshi, Gashi, Roshi, Aliji etj do të kenë mundësi të shfaqin të gjithë potencialin e tyre.