Basketboll
NBA, bie sërish LA Lakers, nuk ndalet Cleveland
11.11.2015 16:55
Tjetër humbje për Los Angeles Lakers në Nba, e dyta radhazi dhe e 6-ta sezonale...

Në Florida kalifornianët u dorëzuan përballë Miami Heat që falë paraqitjes fantastike të Chris Bosh triumfoi me shifrat 101-88.
30 pikë dhe 11 rebound realizoi Bosh në këtë sfidë ndërsa Hasan Whiteside me 19 pikë dhe 15 rebound i dha një ndihmesë të madhe skuadrës së trajnerit Eric Spoelstra të regjistronte fitoren e 5-t në 8 takime.
Në American Airlines Arena për të parën herë në këtë sezon Lakers-at zbritën në parket pa liderin e tyre Kobe Bryant.
Mungesa e vetaranit u ndje te 16-herë kampionët e Nba që nisën ndeshjen shumë keq. Luol Deng me një goditje të saktë nga vija për tre i dha Heat-save avantazhin 15-4 që në minutat e para.
Gjithsesi formacioni i drejtuar nga trajneri Byron Scot u mundua të bënte dicka dhe perioda e parë u mbyll me rezultatin 29-23 në favor të Miamit. Kalifornianët reaguan fuqishëm në 12-minutëshin e dytë me Nick Young që realizoi 11 pikët e para të Lakers-ave në këtë periodë duke kaluar në avantazh të tijët me shifrat 34-33.
Por falë edhe magjive të Dwayne Wade Miami mori sërish kryesimin dhe shkoi në pushim në avantazh të një pike.
Me rikthimin në parket sfida e American Airlines Arena nuk pati më histori sepse u dominua e gjitha nga vendasit. Chris Bosh dhe Whiteside ishin thjeshtë të papërmbajtshëm mbi parket në këtë fraksion loje duke udhëhequr Heat-save drejt fitores me shifrat përfundimtare 101-88.
Në sfidat e tjera të mbrëmjes së Nba spikat fitorja e thellë, Oklahoma City Thunder me rezultatin 125-101 ndaj Washington Wizards në transfertë.
Nuk ndalet as Cleveland Cavaliers që mori suksesin e 7-t radhazi pasi mundi 118-114 Utah Jazz kjo për meritë edhe të Lebron James që koleksionoi në total 31 pikë 8 asiste dhe 7 rebound.