Maqedoni

Raporti, Ahmeti: Të zbatojmë standardet e BE-së; Thaçi: KE vazhdon të përkëdhelë Maqedoninë

11.11.2015 17:08

Ambasadori i BE-së në Shkup, Aivo Orav, u dorëzoi raportin e progresit kryetarëve të partive politike në zyrat e grupeve përkatëse parlamentare...

Pas pranimit të raportit, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se përkundër skepticizmit në opinion, Maqedonia ka marrë raport pozitiv, madje, krahasuar me vendet e rajonit, raporti është edhe më i avancuar.
 
Ai ftoi të gjithë aktorët politik që të vazhdojnë me zbatimin e mëtutjeshëm të Marrëveshjes politike të dy qershorit dhe zbatimin e rekomandimeve të shënuara në raport.
 
Veç kësaj, Ahmeti gjykon se vendi duhet të përmirësojë marrëdhëniet me fqinjët dhe të shënojë progres në tejkalimin e kontestit dypalësh me Greqinë.        
 
“Siç shihet, edhe në këtë raport regjistrohet vetë Marrëveshja e dy qershorit. Fillimi i implementimit të kësaj marrëveshje është 15 korriku. Mbetet angazhim për ne që të zbatojmë dhe të implementojmë standarde të cilat na afrojnë në ditën e fillimit të negociatave për anëtarësim të vendit tonë në Bashkimin Evropian”- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Ndërkaq, kryetari i PDSh-së, Mendu Thaçi, edhe pse vlerëson se raporti është real, sipas tij BE vazhdon ta sheh Maqedoninë mes gishtave. Sipas tij, probleme kyçe me të cilat duhet të përballet Maqedonia janë marrëdhëniet ndëretnike dhe kontesti rreth emrit.
 
“E vlerësoj objektiv, por realisht mendoj se Komisioni Evropian vazhdon të jetë më përkëdhelës ndaj Maqedonisë se sa ndaj shteteve të tjera. Unë kam pritur që ky raport të jetë shumë më i ashpër. Fola me ambasadorin e BE-së dhe vazhdoj të insistoj që tavolina e liderëve dhe grupet e punës të përdoren gjatë këtij dialogu, t’i vendosin si tema kryesore prioritare çështjet e integrimeve apo marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit, dhe të dytën çështjen e raporteve ndëretnike”- theksoi kryetari i PDSh-së, Mendu Thaçi.
 
Partitë shqiptare vlerësojnë se me angazhimin e tyre për tejkalimin e krizës politike ata kanë dhënë kontribut aktiv për një raport të tillë dhe ruajtjen e rekomandimit.    
 
SHPËTIM NUREDINI