Maqedoni
Raporti i progresit-mediat, Dullovi: Nuk ka pavarësi me media “të varura”
11.11.2015 17:26
Raport i ri me konstatime të vjetra dhe me regrese të shumta, madje edhe në pjesën që ka të bëjë me mediat nuk vërehet asnjë përmirësim nga raportet e kaluara...

Kështu e vlerëson gazetari, Lirim Dullovi, raport progresin për Maqedoninë.
Sipas tij, në këtë raport gazetaria është vetëm një hallkë i një zinxhiri më të madh problemesh, por në një shtet me institucione jodemokratike nuk mund të presësh liri të shprehjes dhe medias.
Dullovi thotë se fajin për këtë gjendje e bartin të gjithë, por më së shumti shteti.
“Për të gjetur fajtorin të gjithë kemi faj nga pak, të jemi të sinqertë, duke filluar prej te partitë në pushtet, edhe partitë në opozitë kanë një pjesë të fajit, por edhe mediat. Megjithatë, sipas mendimit tim, fajtor kryesor është ekonomia e dobët në këtë shtet që nuk po rimëkëmbet dhe kjo gjendje me automatizëm i bën mediat e varura nga mjetet që qeveria i ndan për mediat”- deklaroi botuesi i Gazetës “Koha”, Lirim Dullovi.
Sipas Dullovit, në lirinë e shprehjes dhe medias mund të ndikohet pozitivisht nëse ashpërsohen kushtet për themelimin e mediave, qofshin ato elektronike apo të shkruara.
“Ka mediume të shumta në Maqedoni që kontrollohen ose krijohen nga politika, qoftë ato qeveritare apo opozitare, dhe dedikimi i mediave në Maqedoni në të shumtën e rasteve është për qëllime politike. Pse ndodhë kjo? Sepse nuk kemi kritere të ashpra për themelimin e mediave, çdokush mund të themelojë një gazetë me tre punëtorë, pse mos të ketë një kusht me 20 punëtorë, që të shihet se qëllimi primar është informimi e pastaj informimi për interes tjetër”- tha gazetari, Lirim Dullovi.
Maqedonia mund të presë një raport pozitiv në sferën e mediave atëherë kur shteti të demokratizohet dhe krizat politike t’i takojnë të kaluarës, vlerësoi Dullovi.
SANIJE KASAMI
