Maqedoni

Raporti - rasti i Kumanovës, KE rikujton institucionet të zbardhin drejtë rastin

11.11.2015 17:28

Raporti i KE-së nuk pasqyron plotësisht realitetin ndëretnik, vlerëson analisti, Qashif Bakiu....

Sipas Bakiut, marrëdhëniet ndëretnike nuk janë të brishta siç thuhet në raport, por janë tejet të brishta.
 
Në raport më tej thuhet: “Ekziston mungesë e besimit midis komuniteteve dhe tensionet ndëretnike vazhdojnë.
 
Nevojiten iniciativa të mëtejme, që do të promovojnë marrëdhënie të mira ndëretnike. Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë edhe politikat rekomanduese, do të duhet me urgjencë të përfundohen dhe të zbatohen”.
 
“Nuk është diçka e papritur, është diçka e pritshme dhe mbase nuk e reflekton realitetin e plotë për sa i përket marrëdhënieve ndëretnike, sepse për mendimin tim ato janë ende më të brishta. Mendoj se në raport kemi një dozë të lartë, siç përdoret edhe zakonisht, të shprehjes diplomatike për sa i përket marrëdhënieve ndëretnike”- deklaroi analisti, Qashif Bakiu.
 
Ndërkaq, sa i takon rastit të Kumanovës, në një fjali thuhet se ngjarjet e “Kumanovës” akoma duhet të hetohen në tërësi.
 
“Ngjarjet serioze në Goshincë dhe Kumanovë kanë ngritur shqetësime dhe pyetje të cilat akoma do të duhet të hetohen tërësisht dhe në mënyrë transparente.” 
 
Analisti Bakiu thotë se me këtë vlerësim bëhet e ditur se ka shumë të paqarta mbi këto raste, ndërkaq kritikohet puna e institucioneve të cilat punojnë në baza etnike.
 
“Është thënë shumë qartë se institucionet duhet të bëjnë punën e tyre dhe të zbardhin rastin. Vetë fakti që brenda raportit përmenden se duhet të zbardhen elemente nga rasti i Kumanovës dhe Goshincës tregon se kemi gjëra të pazbardhura. Kjo kap shumë elemente, kap elementin e funksionimit të institucioneve, kap elementin e funksionimit të së drejtës, të sistemit gjyqësor, të sistemit ekzekutiv, respektivisht të MPB-së, janë disa elemente të cilat në mënyrë taksative do të thotë i udhëzon që të merren me çështjen” – tha Bakiu.
 
Sipas Bakiut, nëse institucionet dështojnë me zbardhjen e drejtë të këtij rasti, kjo do të ndikojë shumë në raportet ndëretnike, por edhe në raportin qytetar-shtet, duke u thelluar vija e mosbesimit ndaj institucioneve të shtetit.
 
MERAL ISMAILI