Maqedoni

Ahmeti: Përkrahje pa rezervë për bizneset

11.11.2015 17:30

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, së bashku me ministra dhe funksionarë të tjerë të lartë të kësaj partie, qëndroi në Komunën e Bogovinës...

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, së bashku me ministra dhe funksionarë të tjerë të lartë të kësaj partie, qëndroi në Komunën e Bogovinës, ku të gjithë përuruan Thertoren “Nuro Kompani”, e cila merret me përpunimin dhe shpërndarjen e mishit në rajonin e Pollogut dhe më gjerë.
 
Ahmeti me këtë rast shprehu përkrahjen e partisë që drejton dhe institucioneve të vendit, për njerëzit me ide të qarta për të investuar jo vetëm në biznesin e tyre, por edhe që të kontribuojnë në hapjen e vendeve të reja të punës. 
 
“Gjithmonë na kanë pasur pranë iniciatorët, njerëzit që kanë pasur ide dhe qëllime i kemi ndihmuar edhe në të ardhmen, për t’u avancuar edhe më tej. Kjo kompani e ka përkrahjen e institucioneve të vendit, ka përkrahjen edhe të kuadrove profesionale, që më tutje të kapitalizohen vepra të tilla”- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
“Kjo ishte mund, sakrificë e familjes tonë, me punë disavjeçare, përkrahje e gjithë shokëve, me çka arritëm deri këtu... Jemi munduar ta bëjmë me standarde evropiane, me kushte që kërkohen të gjitha prej Hasapit dhe kemi një kapacitet më të mirë për të furnizuar tregun e Tetovës, Gostivarit dhe rrethit këtu, dhe shpresojmë të vazhdojmë me investime”- tha pronari i Thertores  “Nuro kompani”, Bujar Imeri.
 
“Ne si komunë bëjmë përpjekje maksimale të mbështesim biznesin aty ku mund të mbështetim, por pëlqim dhe leje nuk i ka dhënë vetëm komuna, por i kanë dhënë edhe dikasteret përkatëse  që i takojnë kësaj lëmie”- theksoi kryetari i Komunës së Bogovinës, Hazbi Idrizi.
 
Delegacioni i BDI–së vizitoi edhe Qumështoren “Hit-73” në fshatin Kamijan dhe premtoi përkrahje qeveritare për të gjitha bizneset e këtij rajoni.
 
VISAR SADIKI