Maqedoni
Kuvend, ministrat e rinj dhanë betimin
11.11.2015 17:36
Kuvendi me shumicë votash i zgjodhi anëtarët e ri të kabinetit qeveritar, i cili proces vjen si rrjedhojë e zbatimit të marrëveshjes politike midis forcave kryesore...

Kuvendi me shumicë votash i zgjodhi anëtarët e ri të kabinetit qeveritar, i cili proces vjen si rrjedhojë e zbatimit të marrëveshjes politike midis forcave kryesore politike në vend.
Sipas marrëveshjes, me Ministrinë e Brendshme do të udhëheqë Oliver Spasovski, ndërsa me Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale Frosina Remenski.
Drejtues të ri do të ketë edhe Ministria për Shoqëri Informative, me të cilën do të udhëheqë zëvendësministrja e deritanishme, Marta Arsovska-Tomovska.
Kryeministri, Nikolla Gruevski, në fjalimin e tij tha se pret përkushtim dhe punë të përgjegjshme në pajtim me ligjet, ndërsa deputeti Goran Sugareski nga radhët e LSDM-së tha se janë duke hyrë në qeveri jo për të bërë bashkëpunim me VMRO-në, por që të zgjidhin problemet e qytetarëve.
“Pres që ministrat dhe zëvendësministrat e rinj të fokusohen në procesin zgjedhor, në pajtim me Marrëveshjen e qershorit/korrikut, që të mos bllokohen projektet e filluara të Qeverisë dhe të përkushtohen në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. Pres përkushtimin e tyre dhe punë të përgjegjshme”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.
“Fillim i besimit të qytetarëve ndaj institucioneve! Po hyjmë në Qeveri jo për të bërë koalicion me VMRO-DPMNE-në, por për të zgjidhur çështjet e qytetarëve. Synojmë normalizimin e institucioneve. Prej sot MPB do të funksionojë për qytetarët dhe jo si “MVRO-VMRO”- tha deputeti i LSDM-së, Goran Sugareski.
Zgjedhja e anëtarëve të ri të kabinetit qeverisës nuk kaloi edhe pa përplasjen e deputetëve shqiptarë.
“Fajtorët e kësaj krize u bënë bashkë. Por, duhet ta kenë parasysh se edhe përgjegjësinë e merrni bashkë. Ne si PDSh jemi skeptikë, BDI po e legjitimon diskriminimin. Zëvendësministrat e BDI-së nuk do te kenë të drejtë vote. Fakt që tregon pozitën e BDI-së në Qeveri. BDI do të jetë vetëm kalorës i apokalipsit”- theksoi deputeti i PDSh-së, Imer Aliu.
“Jam i skandalizuar nga pohimi i z.Imer Aliu në foltore, i cili sulmon BDI-në dhe marrëveshjen të cilën e nënshkroi lideri i partisë së vet. Këta zëvendësministra janë garanci për zhvillimin fer, të drejtë dhe demokratik të zgjedhjeve të prillit të vitit 2016. Andaj është absolutisht e pavërtetë që e drejta e vetos i mohohet vetëm BDI-së, por, përkundrazi, nga 5 zëvendësministrat që nuk do të kenë të drejtë vetoje 3 i takojnë VMRO-DPMNE-së”- tha deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
Sipas marrëveshjes, Kuvendi, krahas zëvendësministrave të rregullt, zgjodhi edhe zëvendësministrat shtesë, edhe atë në Ministrinë e Brendshme zgjodhi Mitko Çavkovin, në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale Dime Spasovin, në Financa Kire Naumovin, në Ministrinë e Informatikës Aleksandar Kiracovskin dhe Lupço Nikolovskin në Ministrinë e Bujqësisë.
NAIM RAMADANI
