Kriza e emigrantëve, Suedia vendos kontrolle në kufi
Suedia vendosi prej sot në mesditë kontrolle të përkohshme në kufi për të mbikëqyrur fluksin e emigrantëve që duan të hyjnë në vend...

Kontrollet fillimisht do të zgjasin 10 ditë. Ministri i Brendshëm, Anders Ygeman, deklaroi se marrja e kësaj mase u vendos pasi policia paralajmëroi se një rritje e fluksit do të përbënte kërcënim për rendin publik.
Autoritetet suedeze të emigracionit deklarojnë se vendosja e kontrolleve në kufi do t’i ndihmojë ata të regjistrojnë ardhjet e reja dhe të parandalojnë qëndrimet ilegale në vendin nordik.
“Ne synojmë një kontroll më të mirë të fluksit dhe sinjali ynë për pjesën tjetër të Bashkimit Evropian është i qartë si kristali, Suedia është vendi që ka mbajtur mbi shpatulla përgjegjësinë më të madhe për krizën e refugjatëve. Nëse duhet bashkëpunim për këtë sfidë të përbashkët, atëherë edhe vendet e tjera duhet të marrin përsipër përgjegjësinë e tyre”- deklaroi ministri i Brendshëm i Suedisë, Anders Ygeman.
Në Slloveni, ndërkohë, vendosja e pengesave me gjemba në kufi me Kroacinë ka shkaktuar problem mes dy qeverive.
“Ne vumë pengesa për të kontrolluar territorin tonë. Po mundohemi të evitojmë konfliktet dhe shpresojmë se edhe Kroacia të bëjë të njëjtën gjë. Janë masa rutinore, kontrolli sipas rregullave ndërkombëtarë për ruajtjen e kufijve. Ishte një nevojë urgjente, por është masë e përkohshme”- tha ministrja e Brendshme e Sllovenisë, Vesna Gyorkos-Znidar.
Qeveria kroate thotë se telat me gjemba janë vënë brenda territorit kroat dhe i ka kërkuar Sllovenisë t’i largojë ato, në të kundërtën këtë do ta bëjë Policia kroate. 18 mijë refugjatë kanë hyrë nga Kroacia në Slloveni vetëm gjatë muajit tetor. (Leunora Kaliqi, TVM2)
