Fondi Rajonal për Inovacione, 40 milionë euro për kompanitë nga Maqedonia

12.11.2015 14:09

Prej sot filloi me punë zyra në Shkup e Fondit Rajonal për Inovacione, që ka si qëllim të ndihmojë vendet e rajonit në përmirësimin e konkurrencës ekonomike dhe klimës së biznesit...

Përmes këtij Fondi, Komisioni Evropian dhe Fondi Investues Evropian ndajnë 140 milionë euro për vendet e rajonit. Ndërmarrjet nga Maqedonia do të kenë në dispozicion 40 milionë euro. Fondi Rajonal për Inovacione do të participojë me lartësi të mjeteve prej 25 deri në 49 për qind nga pronësia e kompanive, me ç'rast do të investohen 500 mijë deri në dy milionë euro për një kompani.

"Besojmë se përmes zyrës së Fondit kompanitë nga Maqedonia do të kenë qasje më të lehtë në mjetet financiare dhe përmes zyrës në Shkup do të lehtësohen edhe procedurat administrative"- deklaroi zëvendëskryeministri, Vlladimir Peshevski.

“Dëshirojmë të investojmë këtu në Maqedoni, sepse hasëm në shumë talente dhe inovacione të cilat mund të zhvillohen në konkurrencë të madhe. Duam t'i dëgjojmë idetë dhe propozimet e kompanive, ato në çdo kohë mund të vijnë tek ne, por për informim të tyre më të saktë edhe ne vazhdimisht do të organizojmë takime adekuate"- tha drejtoresha e zyrës së Fondit Rajonal për Inovacione, Tatijana Zabasu.

Maqedonia është vendi i parë nënshkrues i Marrëveshjes për themelim të Fondit Rajonal, i cili përveç në Shkup, zyra ka edhe në Beograd dhe Zagreb. (Besim Abdullai, TVM2)