Saraji dhe Gjorçe Petrovi thellojnë bashkëpunimin në më shumë sfera
Thellohet bashkëpunimi në mes Sarajit dhe Gjorçe Petrovit...

Këto 2 komuna sot kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për projekte të përbashkëta në më shumë sfera, si: në arsim, kulturë, sport, por edhe në sferën e ambientit jetësor.
Sa u përket incidenteve të paradokohshme në mes të të rinjve të këtyre 2 komunave, drejtuesit e pushtetit lokal i vlerësuan ato si incidente individuale, të cilat nuk duhet të marrin kahje etnike, pasi që këto 2 komuna kanë bashkëjetuar për shumë vite.
“Bashkëpunimi me Komunën e Gjorçe Petrovit ka ekzistuar edhe më herët, kemi pasur raste fatkeqësisht jo të mira, megjithatë janë menaxhuar në mënyrën siç duhet dhe bashkërisht kemi konstatuar se zënkat individuale të personave të rinj nuk munden të reflektohen në harmoninë ndëretnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve në këtë pjesë të Shkupit”- deklaroi kryetari i Sarajit, Bekim Murati.
“Unë, si një banor i vjetër i Gjorçe Petrovit, duhet të them se ne ndihemi si një sistem. Ashtu kemi funksionuar dhe do të funksionojmë në të ardhmen. Të gjitha ngjarjet individuale që këtu ndodhin, por ndodhin edhe në komuna tjera, nuk duhet të përshkruhen në marrëdhëniet ndëretnike në mes këtyre 2 komunave”- tha kryetari i Gjorce Petrovit, Sokol Mitrevski.
Komunat, ajo e Sarajit dhe Gjorçe Petrovit, u zotuan se bashkëpunimi i tyre do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ndërsa apeluan tek komunat tjera që ky të jetë një shembull pozitiv. (Ersan Pajaziti, TVM2)
