Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë: Raporti i KE-së për mediat është kritik, por real

12.11.2015 15:07

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë vlerëson se raporti i KE-së në pjesën për lirinë e shprehjes dhe medias është më kritike, por edhe më i realët deri më tani...

Komisioni e kuptoi se Qeveria nuk e kupton gjuhën diplomatike dhe prandaj vendosi që në raport të shfrytëzojë gjuhën direkte, thotë kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.

Sipas tij, Brukseli thotë se Maqedonia shënon regres në fushën e lirisë së fjalës dhe të mediave, duke përmendur arsyet që kanë shkaktuar këtë gjendje, siç janë dhuna dhe frikësimi i gazetarëve, ndërhyrjet e qeverisë në politikat redaktuese të mediave dhe ndikimi përmes reklamave qeveritare.

“Për herë të parë Komisioni drejton gishtin nga televizionet kombëtare: Sitel, Kanal 5, Alfa dhe RTM, duke i akuzuar për raportim joprofesional në dobi të pushtetit dhe për raportim selektiv ndaj opozitës dhe sektorit civil. Brukseli këtë vit vlerësoi edhe punën e dy shoqatave të gazetarëve, duke saktësuar se MAN shpeshherë përfaqëson qëndrime pro pushtetit”- deklaroi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.

Selmani vlerëson se KE-ja nuk ka bërë asnjë vlerësim selektiv ose njëanshmëri sa i takon vlerësimit të punës së mediave, pasi që ata kanë përzgjedhur anët negative të të gjitha mediave.

ShGM gjithashtu do të merr pjesë në bisedimet e grupeve të punës për reformat në media. (Sanije Kasami, TVM2)