Botë
Shqipëri, Qeveria tërhiqet nga burgu për gazetarët
12.11.2015 15:31
Një ditë pasi e dorëzoi në Kuvend, Qeveria e Shqipërisë u tërhoq nga projektligji për ta konsideruar shpifjen ndaj zyrtarëve...

Një ditë pasi e dorëzoi në Kuvend, Qeveria e Shqipërisë u tërhoq nga projektligji për ta konsideruar shpifjen ndaj zyrtarëve vepër panele dhe dënimin e saj me gjobë deri në 3 vjet burg.
Neni do të riformulohet pasi lë hapësira për dënimin edhe të gazetarëve, për shkak se nuk specifikohet kategoria e personave që ndëshkohen për shpifje ndaj funksionarë të lartë të shtetit.
Gjithçka nisi me një kërkim falje publike të kryeministrit, Edi Rama, ndaj keqkuptimit se pjesë e burgosjes për shpifje ishin edhe gazetarët.
Ai sqaroi se ky nen nuk prek median, por vetëm politikanët që shpifin ndaj zyrtarëve të lartë.
“Asnjë lidhje me shtypin kriminalizimi i shpifjes! Jo, shpifja duhet të jetë vepër penale për çdo politikan që paguhet me taksat e popullit”- shkroi Rama në facebook.
Edhe kryeparlamentari, Ilir Meta, foli për keqkuptim lidhur me propozim-ligjin.
“Besoj se ka një keqkuptim midis qëllimit të kësaj iniciative dhe mënyrës se si ka funksionuar. Besoj se ky keqkuptim do të zgjidhet, do të ketë një reflektim”- kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.
Më pas, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, deklaroi në emër të qeverisë tërheqjen e kësaj nisme për ta formuluar nenin e për ta sjellë sërish për shqyrtim në Kuvendin shqiptar.
Ajo tha se qëllimi i kriminalizimit të shpifjes dhe fyerjes nuk është që të dënohet media dhe njerëzit e zakonshëm, por vetëm zyrtarët që shpifin ndaj njëri-tjetrit. Felaj tha se shpifja dënohet fillimisht me gjobë dhe vetëm kur nuk shlyhet dhe është e përsëritur kalohet në dënimin me burg deri në tre vjet.
Por, me gjithë tërheqjen, opozita në Shqipëri në reagimin e saj tha se synimi i kryeministrit Rama me këtë propozim lidhet drejtpërdrejtë me opozitën dhe përjashtimin e saj nga Kuvendi.
“Nëse zoti Rama do të kalojë në Kuvend këtë ligj dhe shumë shpejtë edhe Ligjin për dekriminalizimin, mjafton që një deputet i opozitës të dënohet me një gjobë të thjeshtë, por për krim tashmë, sepse ka sharë lartmadhërinë, atëherë deputeti i opozitës humb mandatin”- theksoi Byligbashi nga PD.
Propozimi u kundërshtua edhe nga sektori joqeveritar, përfshirë dhe shoqatat e mediave, të cilat kanë ftuar në protesta për ditën e hënë para qeverisë për të kërkuar tërheqjen e propozimit.
GYLTENE SINANI
