Maqedoni

Shkup, mjekët në protestë simbolike, solidarizohen me kolegun që u plagos të hënën

12.11.2015 15:49

Qindra mjekë në Spitalin Shtetëror të Shkupit protestuan për t’i dhënë mbështetje mjekut, i cili para disa ditëve u plagos në Klinikën e Sëmundjeve Degjistive...

Ata njëkohësisht kërkojnë të miratohet ligj i ri për veprimtarinë e mjekëve, i cili do t’iu mundësojë mbrojtje të punës dhe dinjitetit të tyre.    
                   
“Jemi të sigurt se mjeku, Ljubomir Ognenoviç, shumë shpejt do të shërohet dhe do të kthehet në punë për të vazhduar me humanitetin e tij që po e bën për pacientët. Me plotë besim tek ai dhe ne vetë besojmë se së bashku do të mund t’i tejkalojmë këto momente të vështira”- deklaroi mjekja, Emilija Stojanovska.
                                   
“Kërkojmë sistem të veçantë për mbrojtjen e dinjitet dhe punës së mjekëve dhe bashkëpunëtorëve tjerë mjekësorë. Kërkojmë sindikata e pavarur të jetë partner i barabartë në miratimin e legjislacionit të ri”- tha kryetarja e Bordit të Infermierëve, Vesna Trajkovska.
 
“Dëshirojmë t’i fillojmë negociatat dhe së bashku të krijojmë një sistem të mirë, i cili do të jetë në dobi të pacientëve dhe të të gjithë  punonjësve shëndetësorë”- theksoi mjeku, Goran Begoviq.
 
Në shenjë revolti, mjekët në Klinikën e Sëmundjeve Degjistive edhe sot nuk i kryejnë obligimet e tyre të përditshme mjekësore. Deri të premten ata do të bojkotojnë punën dhe i pranojnë vetëm rastet urgjente në këtë klinikë. 
 
LSDM i mbështet protestat e mjekëve dhe kërkoi dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Nikolla Todorov.
 
REXHEP QAMILI