KE vlerëson formimin e kabinetit të ri qeveritar

12.11.2015 15:49

Komisioni Evropian vlerëson hapin e djeshëm në kuvend, ku dje u zgjodhën anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar, si pikë të rëndësishme e Marrëveshjes së Përzhinës...

Secili hap i realizuar nga organet shtetërore ka rëndësi të veçantë, sepse me çdo angazhim arrihet më afër tejkalimi i krizës, deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kociançiq. Ajo gjithashtu thekson se Komisioni Evropian insiston dhe nxitë qeverinë për tejkalimin e krizës dhe respektimit të afateve.

“Ju e dini shumë mirë se ishim më se të qartë në insistimin tonë për implementimin e marrëveshjes politike, i cili ishte i lehtësuar nga ana e eurokomisarit Hahn gjatë verës. Të gjitha hapat që i bën Maqedonia në këtë drejtim janë të rëndësishme në drejtim të implementimit të tërësishëm të marrëveshjes”- deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kociançiq.

Parlamenti i Maqedonisë dje votoi përbërjen e re të qeverisë kalimtare, e cila do të ketë mandat deri në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, në prill të vitit të ardhshëm.

Një ndër pikat kryesore politike të Marrëveshjes së Përzhinës mbetet dorëheqja e kryeministri, Nikolla Gruevski, 100 ditë para mbajtjes së   zgjedhjeve. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)