Maqedoni

Java kushtuar bujqve të Pollogut, Jashari: sugjerimet, pjesë e programit tonë

12.11.2015 16:29

Përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë të udhëhequr nga sekretari shtetëror në këtë Ministri, Besir Jashari...

Përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë të udhëhequr nga sekretari shtetëror në këtë Ministri, Besir Jashari, sot me temën “Bujqësia dhe pylltaria”, vizituan blegtorët, bujqit dhe kompanitë e ndryshme në Tetovë, të cilët merren më prodhime bujqësore për të debatuar lidhur me problemet që hasin gjatë kryerjes së punëve.
 
Problem më i madh në pjesën e Pollogut sipas disa bujqve që ishin prezent në këtë takim është problemi i ujitjes së fushave dhe mospastrimi dhe menaxhimi i mirë i kanaleve të ujitjeve për fusha për të cilat kanale për ujitje ekzistojnë, por janë të pashfrytëzuar si pasojë e bllokimit të tyre. 
 
“Qëllimi i takimit të sotëm ishte në vazhdën e takimeve të javës së bujqësisë dhe blegtorisë, kishte debat në temën “Bujqësia dhe pylltaria”. Të gjithë ato sugjerime që sot i dëgjuam nga blegtorët, kompanitë, të gjithë ata bujq, të gjithë ata që merren me bujqësi dhe pylltari, ne të gjitha sugjerimet do t’i inkorporojmë në programin që kemi, i cili do të përpunohet me qëllim të përmirësimit të kushteve dhe asaj që kërkohet në teren. Më tepër  u përmendën problemet lidhur me ujitjen e fushave, lidhur me kanalet për të cilët kemi program çdo vit dhe që pastrojmë kanale dhe sanojmë”- deklaroi sekretari shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, Besir Jashari.
 
Sekretari shtetëror pranë Ministrisë së Bujqësisë, Besir Jashari, potencoi se në këtë javë kushtuar bujqësisë në rajonin e Pollogut hapën Njësinë Rajonale për Bujqësi në Komunën e Bogovinës, me seli në Kamijan, kurse nesër paralajmëroi se do të hapet edhe një Njësi Rajonale për Bujqësi në Komunën e Vrapçishtit, me qendër në fshatin Negotin, me qëllim që pjesa më e madhe e këtyre blegtorëve dhe bujqve të kenë më afër ku të drejtohen për kërkesa të ndryshme dhe të njoftohen lidhur me risitë dhe subvencionet që i jep kjo Ministri.
 
VISAR SADIKI