Maqedoni

Kuvendi hedh poshtë nismën për amnisti

12.11.2015 18:03

Kuvendi nuk e mbështeti propozim ligjin për amnisti, i cili parashihte që të lirohen nga vuajtja e 40% të dënimit të shqiptuar...

Kuvendi nuk e mbështeti propozim ligjin për amnisti, i cili parashihte që të lirohen nga vuajtja e 40% të dënimit të shqiptuar me burg të gjithë personat të cilët për herë të parë janë dënuar për vepra penale dhe atë në kohëzgjatje deri në 12 muaj.
 
Përkatësisht personat të cilët për herë të parë janë dënuar me burg deri në gjashtë muaj të lirohen nga dënimi, ndërsa personat të cilët për herë të parë janë dënuar me burg deri në 12 muaj të lirohen nga vuajtja e 50% të dënimit të shqiptuar me burg.
 
Ligji parashihte amnistimin edhe të të gjithë personave që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji do t’i mbushnin 75 vjet.
 
“Rast më i theksuar është Burgu Qendror në Idrizovë, i cili ka kapacitet për 800 të dënuar, por për momentin janë vendosur dy mijë persona, që tregon se aty janë vendosur gjysma e të burgosurve të dënuar në RM”- tha propozuesja e autorizuar, Meri Nikollova.
 
Deputetët e shumicës vlerësuan nismën fisnike të qytetarëve, por gjykojnë se me këtë ligj mundësohet amnisti për raste të cilat janë të ndaluara me kushtetutë dhe ligj, ndërsa deputetët e opozitës shqiptare u shprehën kundër, pasi ky ligj nuk parasheh amnisti për të burgosurit në raste të pretenduara për të montuara.
 
Veç opozita maqedonase dhe disa deputetë të pavarur u shprehën pro nevojës për miratimin e një ligji të tillë.    
 
Me këtë propozim ligj, amnistia nuk do të përfshinte personat e dënuar me burgim të përjetshëm dhe personat e dënuar për vepra penale kundër njerëzimit dhe të mira të tjera të mbrojtura me të drejtën ndërkombëtare.   
 
Propozim ligji u dorëzua nga një nismë qytetare e mbështetur nga 11.069 votues. Sipas propozuesit, qëllimi i këtij ligji është që të shkarkohen burgjet e mbipopulluara, ku të burgosurit nuk mund të realizojnë të drejtat e tyre elementare njerëzore të garantuara me ligj dhe dispozita ligjore.
 
Me miratimin e Ligjit për amnisti, sipas propozuesit, do të përfitonin rreth 3500 persona të dënuar, ndërsa shteti do të kursente rreth 120.000.000 denarë, para buxhetore të cilat mund t’i destinojë për përmirësimin e kushteve në institucionet korrektuese.    
 
SHPËTIM NUREDINI