Sportet E Tjera
Phelps: Ja si u shpëtova “kthetrave” të alkoolit
12.11.2015 18:25
Michael Phelps rrëfen disa detaje shokuese rreth jetës së tij private ku alkooli rrezikoi t’i shkatërronte gjithçka...

Michael Phelps rrëfen disa detaje shokuese rreth jetës së tij private ku alkooli rrezikoi t’i shkatërronte gjithçka që ai e ngriti falë punës dhe talentit të tij, duke u bërë sportisti me më shumë medalje të arta në historinë e olimpiadës.
Notari amerikan që rikthehet në vaskë mendon vetëm për Rio 2016 pasi ka hedhur pas krahëve problemet me alkoolin.
22 medalje olimpike prej të cilave 18 të arta, 26 tituj botërorë dhe 36 rekorde botërorë flasin qartë për karrierën e mahnitshme të një prej njerëzve më të njohur të planetit.
Gjithsesi, prapa kuintave jo gjithçka ka shkuar vaj sepse ai ka përjetuar depresionin duke hyrë në një tunel të errrët ku rrezikoi të mbetej përgjithmonë pavarësisht famës së madhe.
Kampioni amerikan u arrestua në vitin 2014 pasi po drejtonte makinën në gjendje të dehur dhe më pas u shpall fajtor, por gjykata vendosi që ta linte të lirë me kusht.
Phelps shpjegon se pas arrestimit kaloi disa ditë i mbyllur në shtëpinë e tij në Maryland përpara se ta kuptonte se rikthimi në sport ishte e vetjma rrugë shpëtimi.
“Po kaloja një moment vërtet të errët. Nuk dëshiroja të jetoja më dhe trupi im kishte humbur shumë peshë. Jam dobësuar deri në limite por rezultatet po vijnë pasi jam rikuperuar dhe kam fjetur mirë”.
E ëma Debbie e ka ndjekur pas si një hije për të mos e lënë të birin të futej sërish në rrugën e alkoolit, ndërsa ish lojtari i futbollit, Ray Lewis që është edhe një nga miqtë e tij më të mirë e këshilloi të rikthehej sa më parë në pishina për të hedhur pas depresionin.
Fillimisht 45 ditë në një klinikë private në Arizona për të larguar thirrjen e alkoolit dhe më pas pajtimi me të atin Fred, i cili është divorcuar nga mamaja përpara shumë vitesh.
“Jam ndier i braktisur nga babai im por më pas arrita të komunikoj sërish me të. Tani? Gjithçka ka ndryshuar dhe mezi po pres të rikthehem në pishina”.
Në rrëfimin e tij, Phelps shton se që prej arrestimit alkoolin e ka larguar përfundimisht, por nuk premton ta vazhdojë jetën e shëndoshë edhe pas olimpiadës Rio 2016. Trajneri Bob Bowman premton se Phelps do të shfaqet në lartësinë e kampionit por kthehet pas në kohë duke u ndalur te problemet e tij. “Për mënyrën se si po shkonin gjërat mendoja se ai do ta vriste veten e tij“, thekson ai.
Për të përgatitur olimpiadën, Phelps ka ndjekur trajnerin por mbi të gjitha premton se do të vendosë rregull në jetën private. Qershia mbi tortë do të jetë martesa me ish Miss Kaliforninë, Nicole Johnson.