Kançeska-Milevska në Sofje në Forumin për bashkëpunim kulturor me Kinën
Ministrja e Kulturës Elizabeta Kançeska-Milevska sot dhe nesër do të qëndrojë për vizitë pune në Republikën e Bullgarisë ku do të marrë pjesë në Forumin e dytë për bashkëpunim kulturor mes Republikës Popullore të Kinës dhe vendeve nga Evropa Qendrore dhe Lindore...

Në suaza të Forumit, sot është parashikuar ministrja e Kulturës të mbajë fjalim në panel-diskutimin me temën "Sfidat aktuale në menaxhimin me trashëgiminë kulturore dhe këmbimi i të mirave kulturore". Janë parashikuar edhe takime bilaterale me disa Ministri të Kulturës të vendeve nga rajoni, mes të cilëve edhe me ministrin bullgar të Kulturës Vezhdi Rashidov me të cilin do të nënshkruajnë Program për bashkëpunim kulturor mes të dy Ministrive në periudhën e vitit 2015/2017, ndërsa gjatë ditës së nesërme edhe me homologun e saj kinez, Luo Shugang, kumtoi Ministria e Kulturës.
Në forumin i cili mbahet për herë të dytë, ministrat e pranishëm të Kulturës do të diskutojnë për mundësitë për vendosje të bashkëpunimit më intenziv mes vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe Republikës Popullore të Kinës, me qëllim të realizimit të projekteve nga fusha e interesit të përbashkët, duke e përfshirë edhe trashëgiminë kulturore.
Me rëndësi të veçantë është që në kornizat e Forumit do të miratohet edhe Deklarata e Sofjes e cila ka të bëjë me zgjerimin e bashkëpunimit kulturor mes Kinës dhe shteteve të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Mysafirët e Forumit, gjatë ditës së djeshme, në Operën dhe baletin e Sofjes morën pjesë në performancën skeniko-muzikore "Konfucij" të Operës dramatike kineze dhe teatrit dramatik të vallëzimit i cili para disa ditëve kishte pritje të jashtëzakonshme te publiku i Maqedonisë. (mia.mk)
