Sot luhet Kosovë-Shqipëri, festa e krenarisë së Kombit

13.11.2015 11:12

Është një vëllazërore më shumë se një miqësore, pasi jemi një komb i vetëm, por i ndarë në dy shtete...

Kosova dhe Shqipëria takohen këtë të premte për një festë të madhe kombëtare, atë të kualifikimit historik të kuqezinjve në “Euro 2016”.

Është padyshim një përballje e veçantë për të gjithë, por akoma më tepër për ata heronj kuqezinj, që hapat e parë i kanë hedhur në futbollin kosovar, apo për një si Lorik Cana, që debutoi për herë të parë me fanellën kuqezi, pikërisht në miqësoren e vitit 2002 me Kosovën, dhe tani kthehet si kapiten i Kombëtares në stadiumin ku dikur luante i ati i tij, Agimi.

Apo për Berishën, që nisi aventurën mes shtyllave te 2 Korriku në Prishtinë e gjithë heronjtë e tjerë kuqezinj.

Po kaq emocionuese pritet të jetë kjo përballje dhe për futbollistët e përfaqësueses së Kosovës, që po rritet nga dita në ditë. Kosovë-Shqipëri do të jetë një nga ato ndeshje të rralla, ku më shumë rëndësi se skemat, zgjedhjet taktike, apo rezultati, do të ketë festa dhe krenaria e kombit shqiptar dhe ndoshta ndeshja, ku ndërrimi i fanellës do të jetë më kuptimplotë se kurrë, pasi të gjithë lojtarët e përfaqësueses së Kosovës dhe ata të kombëtares shqiptare, pa dallim, kanë ndër deje të njëjtin gjak dhe janë të gjithë në zemër kuqezi.

Vëllazërorja e gjen kombin më krenar se kurrë, edhe në aspektin sportiv. 15 vjet më pare, Kosova fitonte pavarësinë pas një lufte të vështirë e plot sakrifica. “Ra ky mort e u pamë”, – shkruante Kadare, sot gjërat janë shumë ndryshe. Sot është rasti ideal për të thënë: “Erdh kjo festë e u pamë”…

Kosova do të përballet me kombëtaren e Shqipërisë në stadiumin e Prishtinës dhe nga tri ndeshjet e deritashme, nuk ka shijuar asnjë fitore. Për herë të parë dy përfaqësueset shqiptare u përballën më 14 shkurt të vitit 1993, në stadiumin “Qemal Stafa”.

Shqipëria e fitoi këtë ndeshje me rezultatin 3-1. Golat për Shqipërinë i realizuan Abazi, Seferi (autogol), Fortuzi, ndërsa për Kosovën, K.Munishi. Ndeshja e dytë u zhvillua në Prishtinë, më 7 shtator 2002. Kosova, edhe këtë ndeshje e humbi me autogolin e realizuar nga Abazi.

Shqipëria dhe Kosova zhvilluan edhe një tjetër ndeshje, më 22 prill 2006, në Prishtinë. Atë kohë, kombëtarja shqiptare, e përbërë nga lojtarët më të mirë të kampionatit vendas, fitoi me rezultatin 3-2, me golat e shënuar nga Bicaj, Muzaka dhe Balaj, ndërsa për Kosovën shënuan Sh.Hasani dhe D.Gashi.