Kriza e emigrantëve, liderët e BE-së në bisedime me Ankaranë

13.11.2015 13:19

Diplomacia evropiane vazhdon përpjekjet për të frenuar valën e madhe të emigracionit, e cila ka zhytur në krizë kontinentin e vjetër...

Pas samitit të Maltës, ku u arrit marrëveshja për t’i ofruar ndihmë monetare Afrikës për të luftuar shkaqet që sjellin emigracionin, liderët e BE-së do të zhvillojnë bisedime edhe me Ankaranë, për të gjetur mënyrat për të zbutur krizën e vazhdueshme të refugjatëve.

Samiti pritet të mbahet në fund të nëntorit ose në fillim të dhjetorit.

Në Turqi gjenden rreth 2 milionë refugjatë sirianë dhe Bashkimi Evropian po përpiqet prej muajsh të bindë presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan, të bëjë më shumë për të penguar vërshimin masiv drejt Evropës.

28 vendet anëtare kërkojnë arritjen e një marrëveshje sipas të cilës Turqia do të patrullojë kufijtë jugorë të BE-së me Greqinë. Në këmbim të ndihmës, Ankaraja ka kërkuar 3 miliardë euro nga Bashkimi Evropian. Brukseli po punon për grumbullimin e shumës së kërkuar të parave. Por, deri më tani, përveç Britanisë që ka ofruar 400 milionë euro, asnjë vend nuk është ofruar të japë pjesën e tij të kontributeve për planin turk, madje as Gjermania.

Në muajin tetor, Merkel vizitoi Ankaranë pas shpërthimit të një bombe që shkaktoi vdekjen e më shumë se 100 personave. Vizita u konsiderua si një përpjekje e kancelares për të përmirësuar marrëdhëniet me Erdoganin përballë intensifikimit të krizës së emigrantëve.