Maqedoni

3055 aksidente rrugore gjatë vitit 2015, 100 aksidente me pasoja fatale

13.11.2015 15:08

Me rastin e Ditës Botërore të Viktimave nga Aksidentet Rrugore, me 15 nëntor do të prezantohen një sërë aktivitetesh për të rritur kujdesin e njerëzve në komunikacion...

Drejtori i Këshillit Republikan për Siguri në Rrugë theksoi se gjatë 9 muajve të kaluar të këtij viti numri i aksidenteve me pasoja të rënda ka arritur deri më 3055 dhe krahasuar me një vit më parë është shënuar një rritje prej 0.5%.
 
“Sipas të dhënave, prej muajit janar deri në muajin shtator të vitit 2015 kanë ndodhur 100 aksidente rrugore me pasoja fatale, ku kanë humbur jetën 113 persona dhe kemi rritje rreth 8.7% nga viti i kaluar. Ndërsa gjatë vitit 2015 numri i të lënduarve ka arritur deri më 4684 dhe krahasuar me një vit më parë kemi rritje prej 3.6%. Numri më i madh i aksidenteve kanë ndodhur në qytetin e Shkupit, si dhe një ndër arsyet kryesore është shpejtësia e vozitjes”- deklaroi drejtori i Këshillit Republikan për Siguri në Rrugë, Stojçe Stajmenkovski.
 
Sipas statistikës, me faj të vozitësve kanë ndodhur 2766 aksidente rrugore, me ç’rast kanë humbur jetën 109 persona, ndërsa me faj të këmbësorëve janë shkaktuar gjithsej 105 aksidente, ku kanë humbur jetën 8 persona gjatë vitit 2015.
 
Ndërsa sipas statistikës, këtë vit 37 këmbësorë kanë humbur jetën, 6 biçiklistë, si dhe 10 motoçiklistë.
 
REJHANE BUSHI-METAJ