Maqedoni

Kumanovë, paralajmërohen projekte të rëndësishme për qytetarët

13.11.2015 16:18

Rregullimi i shtratit të lumit të Likovës dhe kanalizimi fekal në lagjen “ Dardania”, dislokimi i Gjimnazit “Sami Frashëri” në ambientet e Kazermës...

Rregullimi i shtratit të lumit të Likovës dhe kanalizimi fekal në lagjen “ Dardania”, dislokimi i Gjimnazit “Sami Frashëri” në ambientet e Kazermës, si dhe hapja e disa çerdheve në “Lagjen e trimave” dhe pjesë të tjera të Kumanovës, ishin temë e bisedës së kryetarit të Kumanovës, Zoran Damjanovski, me ministrat e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Pushtetit Lokal, Nurhan Izairi dhe Lirim Shabani, të cilët të shoqëruar nga deputetë dhe këshilltarë komunal të BDI-së, sot vizituan Komunën e Kumanovës. 
 
Për shkak të gjendjes së mjerueshme dhe kushteve të vështira për mësim, në godinën e Gjimnazit “Sami Frashëri”, ku mësojnë edhe paralelet në gjuhën shqipe të Shkollës së Mesme Teknike “Nace Bugjoni”, në këtë takim u bisedua edhe për dislokimin e këtij gjimnazi në ambientet e Kazermës, por edhe për hapjen e disa çerdheve në “Lagjen e trimave” dhe lagje tjera të Kumanovës. 
 
Për të gjitha këto projekte do të formohen grupe punuese, të cilat do të krijojnë kushte për realizimin e tyre praktik. 
 
NEXHAT AQIFI