Maqedoni
Debat për mediat, Vanhojt dëgjoi sugjerimet e gazetarëve
13.11.2015 16:51
Gazetarë, shoqata, sindikata dhe sektori civil para ndërmjetësit, Piter Vanhojt, shprehën qëndrimet e tyre për rregullimin e çështjes së mediave...

Midis tjerash kërkuan kthimin e dinjitetit të gazetarëve, servis publik të pavarur, si dhe ndërprerje të reklamimit qeveritar në media. Porositë i dëgjuan edhe përfaqësuesit e partive politike të pranishëm në debat. Sindikata e gazetarëve doli me propozim konkret, të nënshkruhet marrëveshje kolektive.
“Me këtë gazetarët do të mbrohen nga trysnitë socio-ekonomike, nuk do të mund lehtë të korruptohen, nuk do të mund që të ndjejnë pasiguri dhe frikë dhe këtë frikë ta shumëfishojnë. Me këtë fiton opinioni i gjerë, duke u informuar saktë, por edhe partitë, pasi që do të kenë trup votues mirë të informuar, i cili do të dijë të vlerësojë ofertat e partive politike”- deklaroi përfaqësuesja e Sindikatës së Gazetarëve, Tamara Çausidis.
Profesoresha në Institutin Maqedonas të Mediave, Snezhana Tërpçevska, tha se prioritet do të duhet t’i jepet ndërprerjes së reklamimit të partive politike në media.
“Fillimisht do të duhet që me ligj të ndalohet reklamimi i shtetit, të ndalohet reklamimi politik, pasi që partitë politike nuk janë të barabarta sa i takon mundësisë për t’u reklamuar në mediat audio-vizuele, pasi që kjo krijon lidhje midis mediave dhe subjekteve politike dhe e shkatërron gazetarinë. Kërkesa tjetër është të departizohet Agjencia për Shërbime Audio-vizuele dhe Servisi Publik”- theksoi profesoresha, Snezhana Tërpçevska.
ShGM këmbëngulin që problemet në media të përmbyllen pa ndërhyrje të politikës para zgjedhjeve, pasi që në të kundërtën këto çështje nuk do të hapen më. Insistuan që të jepet përgjegjësi për ushtrim të dhunës ndaj gazetarëve, si dhe financim të pavarur të mediave.
“Ne patjetër do të duhet të dërgojmë mesazh deri te opinioni se ata politikanë që do të mbledhin guximin që të sulmojnë mediat dhe gazetarët do të mbarojnë karrierën politike. Nëse këtë mesazh ne nuk jemi të gatshëm ta dërgojmë si shoqëri, si parti politike, si sektor civil, s’kemi bërë asgjë dhe çështja e dytë është çështja e financimit. Nëse mediat vazhdojnë të financohen nga paratë publike, ne nuk mund që të pretendojmë që të kemi media të lira, sepse kuptohet që ai që e financon median, ai edhe e kontrollon”- u shpreh kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
Ndërmjetësi Vanhojt ishte i prerë se prioritet i BE–së është që të ndërpritet dhuna ndaj gazetarëve, të ndërpritet reklamimi politik në media, si dhe të bëhen ndryshime në Agjencinë e Mediave dhe Servisin Publik.
Debati vazhdon edhe ditëve në vazhdim deri në arritjen e kompromisit, më së voni më 20 nëntor.
MERAL ISMAILI
