Maqedoni

Ministri Spasovski shkarkon udhëheqësit në MPB

13.11.2015 16:57

Ministri i ri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, i zgjedhur nga radhët e LSDM-së, mbrëmë me telegram i ka njoftuar për shkarkim të gjithë personat udhëheqës në MPB...

Në telegramin e Spasovskit thuhet: "Si ministër i Punëve të Brendshme, i zgjedhur me vendimin për zgjedhjen e anëtarëve të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, në bazë të autorizimeve ligjore informoj se të gjitha autorizimet e transferuara nga ministrat e Punëve të Brendshme, të cilët kanë udhëhequr me MPB-në deri në ditën e miratimit të vendimit të theksuar për zgjedhjen e anëtarëve të Qeverisë, ndalojnë të vlejnë"- thuhet në telegram. 
 
Ndërkohë, Spasovski edhe sot ka lëshuar një telegram të ri me të cilin jep informacione shtesë rreth vendimit të tij të djeshëm.
 
Nga LSDM menjëherë janë vënë në mbrojtje të vendimit të ministrit nga radhët e kësaj partie, duke theksuar se vendimi i ministrit të Brendshëm, Oliver Spasovski, është bërë me qëllim të vendosjes së rendit ligjor dhe sigurim të respektimit të tërësishëm të ligjeve, punës transparente dhe me përgjegjësi të MPB-së në interes të qytetarëve. 
 
"Vendimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovskit, se ndalojnë të vlejnë të gjitha autorizimet e transferuara nga ministrat të cilët kanë udhëhequr me MPB-në, nga dita e zgjedhjes së ministrit të ri është që të pengohen të gjitha keqpërdorimet"- thuhet në kumtesën e LSDM-së.
 
Por, vendimi i ministrit Spasovski nuk i ka pëlqyer VMRO- DPMNE-së.
 
“LSDM nuk u përmbajt as dy ditë dhe tashmë tregon se si politizohet Ministria e Brendshme në shtab të tyre, në 6 muajt në vazhdim. Me kumtesë partiake, LSDM mundohet që ta mbrojë ministrin Spasovski edhe për vendimin e tretë si ministër me telegramin, ku ua merr kompetencat të gjithëve në ministri, duke e paralizuar punën e policisë dhe duke vënë vendin në rrezik’’- thuhet në deklaratën e partisë maqedonase në pushtet.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU