Maqedoni
Rasti “Puç”, Zoran Zaev nuk u paraqit në seancë
13.11.2015 17:12
Lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, i akuzuar në rastin “Puç” në seancën e radhës të caktuar për më 2 dhjetor, në gjykatë mund të dërgohet me polici...

Kështu ka kërkuar gjykatësja, Ljubinka Bashevska, e cila udhëheq lëndën, pasi që i akuzuari i katërt në rastin ‘Puç”, Zoran Zaev, nuk është paraqitur në seancën e caktuar për sot.
Avokatët e mbrojtjes kanë arsyetuar mungesën për shkak të aktiviteteve të ngjeshura të tij jashtë vendit.
Ata këtë e kanë dëshmuar me aviobiletë, por trupi gjykues nuk i ka pranuar, duke mbetur në qëndrimin se mund të kërkojnë sjellje në gjykatë me polici, pasi për shkak të mungesës së liderit të opozitës seanca është shtyrë për të pestën herë me radhë.
Avokatët e Zaevit ishin kundër këtij vendimi, pasi ata presin që rastin "Puç" së shpejti ta marrë prokurorja speciale, Katica Janeva.
Avokatët e Zaevit dhe të akuzuarve të tjerë nuk u deklaruan jashtë sallës së gjyqit.
Në rastin “Puç” për spiunazh dhe dhunë ndaj zyrtarëve shtetëror të akuzuar janë: Zoran Zaev, Zoran Verushevski dhe bashkëshortja e tij Sonja, Branko Palifrov i punësuar në Komunën e Strumicës dhe Gjorgji Lazarevski i punësuar në MPB.
NAIM RAMADANI
