Maqedoni
Ministra, deputetë dhe funksionarë tjerë, takim me bujqit dhe blegtorët në Vrapçishtë
13.11.2015 17:32
Me qëllim të promovimit dhe informimit të bujqve me politikat në fushën e bujqësisë, një delegacion i përbërë nga sekretari shtetëror i Ministrisë së Bujqësisë, Besir Jashari...

Me qëllim të promovimit dhe informimit të bujqve me politikat në fushën e bujqësisë, një delegacion i përbërë nga sekretari shtetëror i Ministrisë së Bujqësisë, Besir Jashari, i shoqëruar nga ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Bajram Kadrija, dhe deputetë të zonës kanë realizuar një vizitë në fshatin Toplicë të Komunës së Vrapçishtit, ku janë takuar me blegtorë dhe bujq të kësaj komune.
Me këtë rast sekretari shtetëror i Ministrisë së Bujqësisë, Besir Jashari, theksoi se subvencionet për vitin e ardhshëm do të arrijnë në 37 milionë euro për vendbanimet dhe komunat shqiptare.
Aktualisht në këtë fshat ka rreth 5 mijë krerë dele, ndërsa në territorin e Komunës së Vrapçishit kultivohen mbi 10 mijë krerë bagëti.
Kreu i Vrapçishtit, Bajram Kadrija, ka falënderuar delegacionin për vizitën, duke theksuar se këto subvencione kanë lehtësuar punën, por kanë rritur edhe cilësinë e prodhimeve bujqësore.
Në takim u theksua se përqendrimi në zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë ka qenë i vazhdueshëm për BDI-në, sepse janë dy shtylla të rëndësishme për mijëra familje në vendbanimet shqiptare.
Në takim me bujqit, funksionarët e lartë të BDI-së theksuan nevojën e shoqërisë shqiptare në Maqedoni për përgatitjen e kuadrove në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë.
Po sot, në Komunën e Vrapçishtit filloi me punë Zyra e Ministrisë së Bujqësisë, e cila banorëve të 15 fshatrave të kësaj komune rurale do t’u mundësojë shërbime efikase dhe cilësore në sferën e zhvillimit të bujqësisë.
LULZIM HAZIRI
