Maqedoni
Jashari: rriten mjetet për mbështetjen e blegtorisë
13.11.2015 17:45
Parashihen 1 milion euro shtesë për investime në blegtori në kuadër të programit për zhvillim rural, informoi sekretari shtetëror, Besir Jashari...

Ai këtë e bëri të ditur në debatin e organizuan me blegtorët në Panairin e Shkupit.
“Për vitin 2016, nga programi i zhvillimit rural kemi paraparë 1 milion euro plus për njëqind stane të cilat do të furnizohen me rrufepritës dhe panele solar, që do kenë energji elektrike, kuptohet të njëjtit do t’i plotësojnë obligimet ndaj shtetit dhe vlerësojmë se me këtë do të ndikojmë në zhvillimin e blegtorisë”- deklaroi sekretari shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, Besir Jashari.
Nevojat më primare të blegtorëve janë infrastruktura dhe uji, informoi drejtori i Ndërmarrjes Publike për Kullosa, Lulzim Fejzullai.
“Për një blegtori moderne infrastruktura është pjesa kyçe për modernizimin e blegtorisë. Domethënë poenta ishte rrugët të hapen prapë, të përmirësohen rrugët dhe uji. Kemi pjesë të kullotave, si Mali i thatë, pjesa e Jabollçishtes, ku ka nevojë për akumulime të vogla të ujit”– theksoi drejtori i Ndërmarrjes Publike për Kullosa, Lulzim Fejzullai.
Disa blegtorë në debat u ankuan se ka raste kur hasin në vështirësi në marrjen e subvencioneve, por sekretari Jashari tha se blegtorët duhet të kenë kujdes dhe t’i respektojnë të gjitha rregullat që i ka vënë Ministria e Bujqësisë, me qëllim që t’i marrin subvencionet që u takojnë.
ERSAN PAJAZITI
