Maqedoni

Liderët Shqiptarë të Maqedonisë dënojnë sulmin dhe ngushëllojnë Francën

14.11.2015 14:21

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti kanë shprehur dhimbjen e thellë me popullin francez pas sulmeve terroriste në Paris që lanë mbi 150 të vdekur e shumë të plagosur...

"Marrja e jetës së tjetrit dhe këto akte terroriste nuk bëhen në emër të asnjë kombësie, asnjë race, asnjë feje, por janë akte çmendurie që meritojnë dënimin më të madh dhe nuk zënë vend në botëkuptimet tona. Franca dhe populli francez do të përballojnë këtë sulm mbi mënyrën tonë të jetesës bashkë me të gjithë neve që rreshtohemi në rradhët e atyre që duan paqë, tolerancë, bashkëjetesë dhe mirëkuptim, e jo urrejtje ndërnjerëzore. Më lejoni që tju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave nga sulmi i djeshëm makabër në Pariz ndërsa të gjithë të lënduarve tju uroj shërim sa më të shpejtë dhe kthim pranë familjeve të tyre", thuhet në letrën e ngushllimit të Ali Ahmetit.
 
Edhe Kryetari i PDSh-së Mendu Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi ambasadores së Francës në Maqedoni, Laurence Auer,  Thaçi në mes tjerash thotë:“Me keqardhje të thellë pranuam lajmin për sulmet terroriste dhe viktimat që pësuan në Paris. Sulmi ndaj qytetarëve të pafajshëm dhe përdorimi i dhunës nga kushdo qoftë dhe për çfarëdo motive qofshin janë të papranueshme dhe të dënueshme”.
 
“Në emër të Partisë Demokratike Shqiptare dhe në emrin tim personal, më lejoni të ju shpreh ngushëllime të sinqerta dhe të solidarizohemi me dhimbjen e Juaj, familjarëve të viktimave dhe të plagosurve të tjerë. Në këto moment të vështira mendimet dhe lutjet tona janë me ju dhe me popullin Francez”, përfundon telegrami i ngushëllimit i Thaçit dërguar ambasadores Auer. 
 
Edhe Rilindja Demokratike Kombëtare shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e viktimave të sulmit në Paris, në këto momente të vështira përpopullin francez në përgjithësi.
 
SANIJE KASAMI