Maqedoni

Refugjatët, presidenti thërret mbledhje të këshillit të sigurisë

14.11.2015 16:57

Janë shtuar kontrollet në kufirin me Greqinë njoftuan Presidenti Gjorge Ivanov dhe Ministria e Punëve të Brendshme...

Sipas Presidentit arsyeja kryesore, është numri në rritje i refugjatëve të cilët i ikin regjistrimit në vend. Për këtë situatë kreu i shtetit për sonte ka thirrur mbledhje të Këshillit të Sigurisë.
 
"Kjo ndoshta do të nënkuptojë ndërmarrjen e masave të veçanta nga ushtria për ti drejtuar ata njerëz të cilët qëllimisht e shmangin regjistrimin. Pasi e shmangin regjistrimin kjo jep një dyshim të arsyeshëm se bëhet fjalë për njerëz që me siguri nuk kanë qëllime të mira", deklaroi Ivanov.
 
Sipas Ivanovit, situata duhet të monitorohet nga afër, veçanërisht pasi pritet ndryshim i politikës së BE-së, ndaj krizës së refugjatëve pas sulmeve në Paris.
 
Derisa presidenti ishte në kufirin jugor, kanë pasur takim Ministri dhe udhëheqësia e tij më e lartë e policisë. Kanë vendosur që të forcohet siguria.
 
"Do të përforcohet siguria rreth objekteve dhe në ato të cilat janë në funksion të policisë, do të forcohen masat dhe aktivitetet gjatë sigurimit të tubimeve publike dhe ngjarjeve sportive, si dhe forcim i kontrollit mbi refugjatët që hyjnë në Republikën e Maqedonisë, sidomos në qendrën e përkohshëm të tranzitit në Gjevgjeli", njoftojnë nga MPB-ja.
 
Deri tani nuk ka informacione se me çfarë masash konkrete do të sigurohet regjistrim i të gjithë refugjatëve.
 
Presidenti vetëm tha se bëhet fjalë për rreth 8500 persona të cilët qëllimisht e kanë shmangur regjistrimin.
 
GAZMEND KURTISHI